Polonia i kërkon fonde BE-së për kujdesin ndaj refugjatëve ukrainas

Polonia ka kërkuar fonde shtesë nga BE për të ndihmuar ekonomikisht përpjekjet e saj për të akomoduar miliona refugjatë që kanë vërshuar në vend nga Ukraina fqinje.

Në komentet e botuara nga tabloidi gjerman ”Bild”, kryeministri Mateusz Morawiecki tha se ”Polonia po trajton ushtarët e plagosur nga Ukraina dhe ka hapur dyert për 2,5 milionë refugjatë”.

”Polonia ka nevojë për para për të financuar këtë përpjekje, por deri më tani BE nuk ka paguar asnjë cent për kujdesin e refugjatëve”, shtoi ai.

”Polonia kërkon trajtim të drejtë. Turqia u mbështet me miliarda gjatë valës së fundit të refugjatëve dhe Polonia tani meriton ndihmën e BE-së”, shtoi ai.

Morawiecki shprehu gjithashtu zemërim ndaj ish-kancelarit gjerman, Gerhard Schroder (SPD), i cili u kritikua ashpër se nuk hoqi dorë nga postet e tij në kompanitë ruse të energjisë, pavarësisht sulmit rus ndaj Ukrainës.

Kur u pyet nëse do t’i jepte akoma dorën Schroderit, Morawiecki tha “jo, absolutisht jo”.

Për çështjen e varësisë së Evropës nga gazi rus, kryeministri polak vuri në dukje se ”Varshava e kishte paralajmëruar vazhdimisht Berlinin kundër tubacioneve nga Rusia”. /atsh