Polonia këshillon qytetarët të mbledhin dru teksa rritet çmimi i energjisë

Autoritetet e Polonisë dhe Agjencia shtetërore e pyjeve këshilluan qytetarët e vendit se ata mund të kërkojnë dru zjarri nga pyjet për t’u ngrohur mes kostove të larta të energjisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëvendësministri i klimës dhe energjisë, Edward Siarka shkroi në Twitter se qeveria po ndërmerr hapa që ta bëjë më të lehtë për njerëzit mbledhjen e druve për t’ua lehtësuar rritjen e faturave të energjisë dhe mungesën e qymyrit.

“Gjithmonë është e mundur që me pëlqimin e pylltarëve të mblidhen degë për djegie”, tha Siarka.

Ai theksoi se këtë vit, në mes të “luftës në Ukrainë dhe trazirave në tregun e energjisë”, kërkesat ndaj njësive pyjore lokale për marrjen e lejes për të mbledhur dru zjarri janë shtuar. “Prioriteti ynë ka qenë të sigurojmë që komunitetet lokale të kenë përparësi”, shtoi zëvendësministri.

Qeveria polake ka fajësuar pushtimin rus të Ukrainës për rritjen e kostove, duke e quajtur atë “Putinflacja” ose “Putinflation”.

Duke folur për “Polsat” të Polonisë, zëdhënësi i Pyjeve Shtetërore, Michal Gzowski u kujtoi atyre që dëshirojnë të mbledhin dru se duhet fillimisht të marrin leje nga njësia lokale e pyjeve – “edhe një telefonatë mjafton”, dhe se ata mund të marrin vetëm dru që “tashmë shtrihen” në tokë. Ata nuk mund të presin pemë, shtoi Gzowski. /aa