Popull i shtypur gjer në palcë

Ajo është historia e një populli të shtypur, të dhunuar dhe të persekutuar gjer në palcë. Flitet se është një histori që ka ngjarë vërtetë, por fatkeqësisht ajo është një histori që vazhdon e ngjet akoma.
Historia flet për një popull që udhëhiqej nga një mbret shpirtkazmë, i lig dhe harbut. Ai i kishte provuar të gjitha llojet e poshtërimit dhe dhunës. Mu për këtë bënte çudi me veten, se si kishte mundësi që njerëzit jo që nuk ngrinin krye kundër tij, por nuk shfaqnin as dhe ankesën më të vogël! Si nuk kishte dëgjuar dikë ta kundërshtojë për vrasjet, persekutimet, plaçkitjet etj…?
Një ditë, mbreti mblodhi këshilltarët e tij dhe u kërkoi ndonjë mendim rreth faktit se njerëzit nuk bënin as gëk as mëk, pavarësisht se jetonin në terror dhe zgjedhën të hekurt.
Njëri prej këshilltarëve i tha:”Lartmadhëria juaj! Meqë njerëzit i kanë tokat e tyre matanë lumit dhe për të vajtur atje u duhet të kalojnë mbi urën e vetme, unë propozoj që tek ura të vendosësh një xhelat i cili do të fshikullojë njëzet kamxhikë çdo person që kërkon të kalojë urën për tek ara dhe toka e tij. Besoj se kështu mund të dalë dikush që të kundërshtojë dhe të rebelohet për padrejtësinë dhe dhunën e ushtruar!”
Mbretit i pëlqeu ky mendim i këshilltarit të tij, e në fund të fundit, kjo është detyra e këshilltarëve pranë pushtetarëve, që të prodhojnë probleme, jo zgjidhje!
Menjëherë u urdhërua xhelati më katil që të fshikullojë miletin nga njëzet kamxhikë.
Kaloi dita e parë, dita e dytë dhe nuk po dëgjohej as dhe ankesa më e vogël. Mbreti u xhindos nga kjo që po ndodhte. I vinte inat nga nënshtrimi i popullit të tij ndaj çdo forme të dhunës dhe padrejtësisë.
Por kjo nuk zgjati shumë, pasi ditën e tretë dëgjoi zëra e zhurmë jashtë pallatit. Doli në ballkon me vrap dhe pa një grup nga paria e vendit, që gjithë nerva ishin mbledhur dhe kërkonin takim me mbretin.
Oh sa u gëzua mbreti shpirtkatran. Më në fund kishte dalë dikush që i tregonte kufirin. Ai urdhëroi që tu hapeshin portat dhe ti sillnin në kuvendin e tij.
Pasi burrat e parisë dolën para mbretit, ky i fundit u tha:”Mirë se keni ardhur o milet! Le të dalë njëri prej jush dhe tu përfaqësojë në kërkesat tuaja!”
Njëri prej tyre doli të tjerëve. Dukej gjithë nerva, i vlonte gjaku dhe shkumonte nga inati. Pa e zgjatur ia filloi:
“Lartmadhëria juaj! Zoti ua shtoftë jetën! Siç e dini, arat dhe tokat tona ndodhen matanë lumit dhe për të vajtur atje, na duhet të kalojmë urën e vetme. Këto ditë, ju keni nxjerrë një dekret mbretëror sipas të cilit kushdo që kalon urën do të fshikullohet njëzet kamxhikë.
Lartmadhëria juaj!
Një person i vetëm është i pamjaftueshëm për këtë detyrë madhore! Ne, si pari e miletit, jemi mbledhur dhe të kërkojmë që ti shtosh xhelatët mbi urë, me qëllim që të mos shkaktohet radhë e madhe dhe njerëzit të mos vonohen për tek tokat e tyre!”
Këto fjalë e tronditën mbretin shpirtkatran. Ai i ra ballit me pëllëmbën e tij të trashë dhe hodhi tej kurorën që mbante mbi kokë, duke shfryrë gjithë inat për derexhenë ku kishte rënë populli i tij, sigurisht falë kontributit dhe kujdesit të tij të drejtpërdrejtë.

Nga: Prof. Elmaz Fida