Presidenti Erdogan bisedoi në telefon me homologun amerikan Biden

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) Joe Biden.

Siç njofton Drejtoria e Komunikimeve të Presidencës, në bisedë u diskutuan zhvillimet rajonale, përfshirë sulmin rus ndaj Ukrainës, si dhe marrëdhëniet Turqi-ShBA.

Duke deklaruar se Ankaraja i vazhdon përpjekjet për të arritur një zgjidhje politike midis Rusisë dhe Ukrainës, presidenti Erdoan nënvizoi se është e rëndësishme që Turqia të jetë në pozicionin e vendit që bisedon me të dyja palët përkundër mundësisë së thellimit të krizës edhe më shume dhe që të ndërmarrë një rol lehtësues në kërkim të zgjidhjes.

Gjithashtu presidenti Erdoan vuri në dukje rëndësinë e mundësisë që ministrat e Jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës gjetën për të biseduar drejtpërdrejt me njëri-tjetrin, në një takim të mirëpritur nga Turqia të enjten në Antalie, falë kanalit të besimit të hapur nga Turqia. Organizimi i këtij takimit është një fitore diplomatike në vetvete, shtoi udhëheqësi turk.

Ne presim që kërkesa e Turqisë, e cila përfshin blerjen e 40 avionëve të rinj nga SHBA-të dhe modernizimin e F-16-ve ekzistues, të finalizohet sa më shpejt që të jetë e mundur,- i tha presidenti Erdoan homologut amerikan dhe shtoi se është koha për të hequr të gjitha sanksionet e padrejta kundër Turqisë në fushën e industrisë së mbrojtjes. /trt