Presidenti Erdoğan mesazh urimi për festën e Bajramit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në mesazhin e tij për festën e Kurban Bajramit ka vlerësuar luftën e vendit kundër koronavirusit të ri (COVID-19) dhe ka apeluar te qytetarët që të respektojnë rregullat e kujdesit shëndetësor gjatë festës, raporton Anadolu agency (AA). 

“Uroj që Bajrami të sjellë qetësi në zemrat tona, mirëqenie për vendin tonë dhe paqe në botë. Gëzuar Bajramin”, tha Erdoğan në një deklaratë së bashku me një video të shpërndarë në mediat sociale.

“Falënderojmë Allahun, i cili na lejoi të gëzojmë një tjetër Bajram. I lutem Allahut që këto ditë të shenjta të çojnë në rezultate të mbara për kombin tonë, botën islame dhe tërë njerëzimin”, tha ai.

“Për fat të keq, këtë vit e kalojmë Bajramin me pikëllim pasi haxhi do të kryhet në mënyrë të kufizuar për shkak të pandemisë së koronavirusit. InshAllah, vitin e ardhshëm, miliona muslimanë do të marrin sërish në Qaben e Shenjtë dhe tokat e shenjta me dashuri, entuziazëm dhe gëzim”, shtoi presidenti turk.

Turqia do të shënojë festën fetare nga 31 korriku deri më 3 gusht.

Duke shënuar gatishmërinë e profetit Ibrahim për të flijuar djalin e tij me urdhrin e Allahut, çdo vit muslimanët e aftë financiarisht therin kafshë të tilla si lopët, delet dhe dhitë. Mishi pastaj ndahet midis miqve dhe të afërmve dhe po ashtu u dhurohet të varfërve. Po ashtu gjatë festës vizitohen miqtë dhe familja. 

– Lufta kundër koronavirusit

Duke vlerësuar luftën e Turqisë kundër koronavirusit, Erdoğan tha se Turqia menaxhoi me sukses pandeminë, e cila po ashtu, theksoi ai “është admiruar nga e gjithë bota”.

“Me procesin e normalizimit, që filloi më 1 qershor, jeta në pothuajse të gjithë sektorët, përveç turizmit, ka hyrë në një ritëm që i afrohet nivelit të periudhës para-pandemike”, tha presidenti.

“Si pjesë e programit të Mbrojtjes Sociale, ne kemi vënë në dispozicion një fond prej gati 26 miliardë lira të kombit tonë”, tha ai.

Presidenti tha se vendi i tij ka zbatuar një numër të madh të programeve mbështetëse për të ruajtur vendet e punës.

“Përveç ndihmës për punë me kohë të shkurtuar, ne zgjatëm kohën e pagesave të ndihmës në para për punëtorët tanë që kanë humbur punën e tyre ose janë dërguar në pushime papagesë”, njoftoi Erdoğan.

Turqia deri më tani ka konfirmuar 228.924 raste të virusit, 212,557 prej të cilëve janë shëruar. 

– Lufta anti-terroriste në rajon

Sa i përket operacioneve të vazhdueshme anti-terroriste në rajon, presidenti turk tha se vendi i tij do të ketë fitore të reja në muajin gusht.

“Jemi të vendosur për të përfunduar luftën tonë… duke u shtrirë nga Iraku dhe Siria në Libi me fitore për ne dhe aleatët tanë, si dhe për vëllezërit dhe motrat tona në këto vende”, tha ai.

“Do të vazhdojmë deri në fund punën tonë që kemi filluar në Mesdheun Lindor dhe Egje për të mbrojtur të drejtat tona”, shtoi Erdoğan.

Presidenti tha se Turqia nuk do të hezitojë të ushtrojë të drejtat e saj sovrane “si në shembullin e Xhamisë së Madhe të Ajasofjes, të cilën e rihapëm për namaz të premten në përputhje me kartën e themelimit të Fatih Sulltan Mehmed”.

“Do të vazhdojmë të qëndrojmë me të gjithë ata që përballen me shtypje dhe padrejtësi pa marrë parasysh në cilën pjesë të botës ata jetojnë dhe pavarësisht besimit, origjinës dhe kulturës së tyre”, pohoi ai.