“Ende nuk jemi informuar për ndonjë qëndrim të qartë në lidhje me (përfshirjen e Libanit) në marrëveshjen e armëpushimit”, thanë burime libaneze për Anadolu
Presidenti libanez, Joseph Aoun po mban kontakte për të siguruar që Libani të përfshihet në një marrëveshje armëpushimi midis SHBA-së dhe Iranit, tha sot një burim zyrtar i nivelit të lartë për Anadolu.
“Ne ende nuk jemi informuar për ndonjë qëndrim të qartë në lidhje me (përfshirjen e Libanit) në marrëveshjen e armëpushimit”, tha burimi në kushte anonimiteti.
“Kontaktet janë duke vazhduar në nivele të ndryshme dhe presidenti Aoun po udhëheq përpjekjet për të siguruar që Libani të përfshihet në çdo marrëveshje armëpushimi”, shtoi burimi.
“Ka informacione kontradiktore që qarkullojnë”, tha burimi libanez duke cituar pretendimet izraelite se Libani nuk është përfshirë në armëpushimin me Iranin.
“Asnjë qëndrim specifik nuk është lëshuar nga pala amerikane për këtë çështje deri më tani”, shtoi burimi.
SHBA-ja dhe Irani njoftuan të martën armëpushim dyjavor që synon të hapë rrugën për marrëveshje përfundimtare për t’i dhënë fund një lufte të nisur nga Washingtoni dhe Tel Avivi kundër Teheranit më 28 shkurt, e cila ka lënë mijëra të vdekur dhe të plagosur.
Ndërmjetësuesit pakistanezë thanë se armëpushimi përfshin Libanin ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se nuk e përfshinë. Hezbollahu deri më tani i është përmbajtur armëpushimit pavarësisht sulmeve të vazhdueshme izraelite.
Media libaneze tha se të paktën tetë persona u vranë dhe 22 të tjerë u plagosën sot në një sulm izraelit që synonte qytetin jugor libanez Sidon, pasi u shpall armëpushimi.
Izraeli ka kryer sulme ajrore dhe ofensivë tokësore në jug të Libanit që nga një sulm ndërkufitar nga Hezbollahu më 2 mars, pavarësisht një armëpushimi që hyri në fuqi në nëntor 2024.
Autoritetet libaneze thonë se të paktën 1.530 persona janë vrarë që atëherë ndërsa 4.812 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite.








