Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, gjatë pjesëmarrjes së saj në Samitin Botëror të Qeverive në Dubai, zhvilloi një takim me presidentin e Republikës së Estonisë, Alar Karis, ku u konfirmuan marrëdhëniet miqësore dhe mbështetja e Estonisë për integrimin euroatlantik të vendit, transmeton Anadolu.
Sipas njoftimit të kabinetit të presidentes, Siljanovska-Davkova falënderoi për rolin aktiv të Estonisë në grupin “Miqtë e Zgjerimit” dhe shprehu interes për forcimin e bashkëpunimit dypalësh me vendin baltik dhe nënshkrimin e marrëveshjeve në fusha me interes të përbashkët.
“Presidentja theksoi se mbetemi të përkushtuar plotësisht ndaj anëtarësimit në BE dhe tërësisht të harmonizuar me politikën e përbashkët të sigurisë dhe të jashtme të Unionit. Ajo riafirmoi qëndrimin se integrimi euroatlantik i Ballkanit është një nevojë strategjike për stabilitetin dhe sigurinë e Evropës”, theksohet në njoftim.
Në takim u vlerësua bashkëpunimi në fushën e digjitalizimit, i realizuar në partneritet me Qendrën për Zhvillim Ndërkombëtar të Estonisë, bashkëpunimi me Kolegjin Baltik të Mbrojtjes në Tartu, si dhe me Qendrën e Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s në Tallinn.
“Duke theksuar se ekzistojnë potenciale të pazbuluara në ekonomi, Siljanovska-Davkova shprehu pritshmëri për zhvillimin e projekteve të reja të përbashkëta dhe një prezencë më të madhe të investitorëve estonezë në vend. Biseduesit shkëmbyen mendime mbi sfidat aktuale globale”, përfundon njoftimi.



