Protesta në shumë qytete europiane ndaj pasaportës së vaksinës, përleshje me policinë

Edhe këtë fundjavë, mijëra njerëz mbushën rrugët në shumë vende të Bashkimit Evropian për të kundërshtuar certifikatën e gjelbër dhe vaksinimin me detyrim për grupe të caktuara.

Sheshet në Trieste, Torino dhe në Milano të Italisë u mbushën nga mijëra protestues që shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj vendimit të qeverisë për të bërë vaksinimin me detyrim për të gjithë punëtorët në sektorin publik dhe atë privat.

Protesta u përshkallëzua në përplasje mes policisë edhe demonstruesve pasi këta të fundit u munduan të thyejnë barrierat të vendosura në rrugë. Oficerët e policisë përdorën shkopinj, e si pasojë persona raportohen të kenë mbetur të plagosur, ndërsa demonstruesit u përgjigjen duke hedhur tavolina dhe karrige nga lokalet e zonës.

Mijëra njerëz protestuan edhe në qytetin lindor të Gjermanisë, Lajpcig, për të kundërshtuar masat e qeverisë ndaj koronavirusit.

Të paktën 24 persona u vunë në pranga, pasi sipas oficerëve kishin me vete sende të ndaluara.

Ndërkohë në Francë mijëra njerëz protestuan kundër certifikatës së vaksinimit për të 17-ën fundjavë radhazi.

Me pankarta në duar edhe thirrje kundër qeverisë, demonstruesit shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj menaxhimit të situatës së koronavirusit. /vizionplus