Prokurorët gjermanë kanë ngritur akuza ndaj një punonjësi të një shtëpie të shërbimeve funerale, i akuzuar për vjedhjen e dhëmbëve prej ari dhe sendeve me vlerë nga të paktën 250 persona të vdekur, transmeton Anadolu.
I dyshuari, i cili punonte për shërbimet funerale të qytetit Freiburg, përballet me akuza për cenim të paqes së të vdekurve në 250 raste, vjedhje në 50 raste dhe pastrim parash në 21 raste, të kryera gjatë një periudhe më shumë se 10-vjeçare.
Sipas aktakuzës, personi ka hequr material dentar prej ari nga trupat e personave të planifikuar për djegie midis viteve 2013 dhe 2024. Ai dyshohet se i ka kryer vjedhjet gjatë orarit të rregullt të punës dhe jashtë orarit të punës.
Ai gjithashtu akuzohet se ka marrë bizhuteri, ora dhe sende të tjera personale që familjet kishin kërkuar të varroseshin ose të digjeshin bashkë me të dashurit e tyre.
Bashkëshortja e tij është akuzuar për ndihmë dhe bashkëpunim në kryerjen e veprave penale, si dhe për pastrim parash. Prokurorët pretendojnë se ajo e ka ndihmuar bashkëshortin duke mbajtur roje për të parandaluar ndërprerjet gjatë vjedhjeve.
Ndërkohë, një argjendar përballet me akuza për pastrim parash pasi dyshohet se ka blerë shumicën e sendeve të vjedhura. Autoritetet thanë se ai ka pranuar marrjen e arit nga burime të paligjshme, duke i kthyer transaksionet në një burim të qëndrueshëm fitimi.
I dyshuari akuzohet se ka nxjerrë dhe shitur më shumë se 8 kilogramë material dentar prej ari, me vlerë rreth 250 mijë euro.




