Putin dhe Macron diskutojnë krizën e migracionit përgjatë kufirit Bjellorusi-Poloni

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe homologu i tij francez, Emmanuel Macron, në një bisedë telefonike kanë diskutuar për krizën e migracionit në kufirin Bjellorusi-Poloni, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Kremlini, Putin dhe Macron theksuan se kriza duhet të zgjidhet brenda kornizës së normave ndërkombëtare humanitare.

Duke refuzuar të pranojë emigrantët që përpiqen të kalojnë kufijtë e Bjellorusisë, tha Putin, Polonia dhe vendet baltike po shkelin detyrimet e tyre ndërkombëtare për të mbrojtur të drejtat e emigrantëve.

Ai shtoi se përfaqësuesit e anëtarëve të Bashkimit Evropian (BE) duhet të konsultohen me Bjellorusinë për çështje të tilla.

Rreth 2 mijë persona po presin pa strehë dhe në kushte të rënda në vendkalimin kufitar Bruzgi të Bjellorusisë me Poloninë.

Që nga muaji gusht, vendet e BE-së në kufi me Bjellorusinë, respektivisht Lituania, Letonia dhe Polonia, kanë raportuar një rritje dramatike të kalimeve të parregullta.

Në vitin 2021 mbi 8 mijë persona janë përpjekur të kalojnë në bllokun evropian përmes kufirit të Bjellorusisë me BE-në, duke u rritur ndjeshëm nga 150 në vitin e mëparshëm.

Sipas BE-së, Bjellorusia u zgjat dorën udhëtarëve të mundshëm përmes kanaleve zyrtare, përfshirë misionet diplomatike dhe agjencitë e udhëtimit, si dhe i josh ata në Bjellorusi duke u ofruar viza. Më pas supozohet se ata udhëzohen në kufirin e BE-së.

Çështjet e Ukrainës dhe Karabakut

Në lidhje me tensionin me Ukrainën, Putin kërkoi negociata të menjëhershme ndërkombëtare për të zhvilluar garanci të fiskuara ligjërisht që do të parandalonin çdo zgjerim të mëtejshëm të NATO-s në lindje, si dhe vendosjen e armëve në vendet fqinje që kërcënojnë Rusinë, kryesisht në Ukrainë.

Për herë të dytë këtë vit, Moska së fundmi ka grumbulluar dhjetëra mijëra trupa pranë kufirit të Ukrainës, duke shkaktuar shqetësime për veprime ushtarake në Ukrainë. Sipas zyrtarëve ukrainas, Moska në muajin janar mund të shkaktojë një përshkallëzim në shkallë të gjerë.

Në vitin 2014, Moska filloi të mbështesë forcat separiste në Ukrainën lindore kundër qeverisë qendrore, një politikë që ajo e ka mbajtur gjatë shtatë viteve të fundit.

Për çështjen e Karabakut, presidenti rus i tha presidentit francez për rezultatet e takimeve të tij të 26 nëntorit në Sochi me liderët e Azerbajxhanit dhe Armenisë, dy vendet në konfliktin e vjeshtës së kaluar.

Putin shprehu shpresë se takimi i nesërm i presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev dhe kryeministrit të Armenisë, Nikol Pashinyan, me përfaqësuesit e BE-së do të jetë “i dobishëm”.

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike, Azerbajxhanit dhe Armenisë, kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Karabakun, një territor të njohur në nivel ndërkombëtar si pjesë e Azerbajxhanit.

Përleshjet e reja filluan më 27 shtator të vitit 2020 dhe gjatë luftës 6-javore, Azerbajxhani rimori disa qytete, si dhe 300 vendbanime dhe fshatra. Konflikti përfundoi në nëntor të vitit 2020 në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Rusia, si pasojë e të cilës Armenia lëshoi pjesë të territorit që kishte pushtuar për dekada.

Në muajin janar, krerët e tre vendeve u pajtuan të zhvillojnë lidhjet ekonomike dhe të infrastrukturës për të mirën e të gjithë rajonit të Kaukazit. /aa