Presidenti rus Vladimir Putin e quajti “çështje parimore” krijimin e një shteti palestinez, transmeton Anadolu.
Duke hapur sot një takim në Kremlin me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Mohamed bin Zayed Al Nahyan, i cili mbërriti në Moskë për vizitë zyrtare, Putini tha se të dy udhëheqësit kanë diskutuar vazhdimisht për konfliktin palestinezo-izraelit dhe përpjekjet e përbashkëta për të përmirësuar situatën humanitare në Gaza.
“Është çështje parimore të zgjidhet çështja e krijimit të një shteti të plotë palestinez që do të bashkëjetonte në paqe dhe siguri me Izraelin. Kjo do të bëjë të mundur arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe do të sigurojë stabilitet afatgjatë në rajon”, tha ai.
Putini tha se Rusia po monitoron nga afër zhvillimet në Iran pas një kërcënimi nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump për sulme kundër republikës islamike.
Udhëheqësi rus vlerësoi përpjekjet e EBA-së në lidhje me krizën e Ukrainës, përfshirë rolin e saj në shkëmbimet e të burgosurve dhe ofrimin e një platforme për kontakte diplomatike.
“E vlerësojmë shumë, lartësia juaj. Jemi mirënjohës ndaj jush personalisht që siguruat që negociatat trepalëshe në kuadër të grupit të punës për sigurinë të mbahen në Abu Dhabi javën e kaluar dhe për vëmendjen që i kushtuat delegacionit tonë”, tha ai.
Moska dhe Kievi zhvilluan disa raunde bisedimesh të ndërmjetësuara nga SHBA-ja në Abu Dhabi më 23 dhe 24 janar, me qëllim përfundimin e luftës në Ukrainë.
Presidenti i EBA-së, Al Nahyan tha se vendi i tij është i përkushtuar për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me Rusinë dhe për avancimin e qëllimeve të përbashkëta të zhvillimit. Ai falënderoi Putinin për hapjen e Rusisë ndaj çështjeve humanitare me Ukrainën, përfshirë shkëmbimin e të burgosurve.
Al Nahyan tha se EBA-ja mbështet fuqimisht zgjidhjet politike dhe diplomatike për konfliktet që mund të kontribuojnë në paqe dhe stabilitet ndërkombëtar. Vizita zyrtare e presidentit të EBA-së në Moskë filloi sot, tha Kremlini në një deklaratë.
Përpara takimit, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov i quajti Emiratet Arabe “partnerin kryesor tregtar të Rusisë në botën arabe”, duke thënë se marrëdhëniet po zhvillohen me sukses në pothuajse të gjithë sektorët.
Ai theksoi se të dyja palët kanë treguar vazhdimisht interes për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit. “Prandaj, sot është dita e marrëdhënieve ruso-emiratase dhe e miqësisë ruso-emiratase”, shtoi ai.



