“Qasja në ushqim të mjaftueshëm, ushqyes dhe të besueshëm është e drejtë themelore e të gjithëve”

Presidenti Recep Tayyip Erdogan tha se qasja në ushqim të mjaftueshëm, ushqyes dhe të besueshëm është një e drejtë themelore për të gjithë.

Erdogan i dërgoi një videomesazh Konferencës së 8-të të Ministrave Përgjegjës për Sigurinë Ushqimore dhe Zhvillimin Bujqësor të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik.

Ai deklaroi se kërkesa globale për ushqim po rritet dita ditës me rritjen e popullsisë së botës dhe se pasojat negative të ndryshimeve klimatike si fatkeqësitë natyrore, mungesa e ujit, zjarret në pyje, përmbytjet, erozioni dhe thatësira po shkatërrojnë burimet e ushqimit.

Duke deklaruar se pandemia e koronavirusit ka prishur balancën ofertë-kërkesë në bujqësi dhe ka shkaktuar ndërprerje në zinxhirët e furnizimit, Presidenti theksoi se rreth 10 për qind e popullsisë së botës po përballet me kërcënimin e urisë.

Erdogan vuri në dukje se 810 milionë njerëz nuk kanë qasje në ushqimet më elementare, ndërsa kapitalistët e mëdhenj mund të shpenzojnë qindra milionë dollarë për disa minuta udhëtime turistike në hapësirë.

“Në një epokë si kjo, kur komunikimi është kaq i përhapur dhe bota bëhet një fshat global, askush nuk ka luksin të jetë indiferent. Qasja në ushqime të përshtatshme, ushqyese dhe të besueshme nuk është një lëshim, por një e drejtë themelore për të gjithë. Si anëtarë të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, ngritja e zërit për një botë më të drejtë është një kërkesë e përgjegjësisë sonë ndaj njerëzimit. Sigurisht, është shumë e rëndësishme që fillimisht të rrisim solidaritetin dhe bashkëpunimin mes nesh”, deklaroi kreu i shtetit turk.

Ai gjithashtu tha se dëshirojnë të përfitojnë nga përvoja dhe mundësitë e Turqisë, e cila është lider botëror në shumë produkte bujqësore falë sipërfaqeve të mëdha të punueshme si dhe kushteve të favorshme gjeografike dhe klimatike. /trt