Qeveria e Palestinës: Do të marrim të gjitha masat ligjore për t’iu përgjigjur Izraelit

Presidenti i Palestinës, Mahmoud Abbas, ka reaguar ndaj qeverisë izraelite dhe anëtarëve të saj që bastisën Xhaminë al-Aksa dhe deklaroi se do të marrin të gjitha masat ligjore kundër tyre, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit të agjencisë palestineze të lajmeve “WAFA”, Abbas mbajti një fjalim në takimin e Komitetit Ekzekutiv të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO) në ndërtesën e Presidencës Palestineze në Ramallah.

“Ne do të marrim të gjitha masat e nevojshme ligjore të parashikuara nga legjitimiteti ndërkombëtar për t’iu përgjigjur qeverisë izraelite dhe anëtarëve të saj që bastisën Xhaminë al-Aksa. Ne do të diskutojmë të gjitha çështjet, qoftë me qeverinë izraelite qoftë me administratën e SHBA-së. Nuk është sekret që administrata e SHBA-së qëndron pas politikës izraelite”, tha Abbas.

Duke deklaruar se bastisja në Mesxhid al-Aksa ishte fillimi i zbatimit të politikës së shpallur nga qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu, Abbas theksoi se ata e kundërshtuan me vendosmëri këtë politikë.

– Bastisja provokuese e ministrit Ben-Gvir në Xhaminë Al-Aksa

Ministri i Sigurisë Kombëtare të Izraelit i ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir, i njohur për veprimet e tij provokuese, më 3 janar bastisi xhaminë Al-Aksa nën mbrojtjen intensive të policisë izraelite dhe hyri në Harem-i-Sharif.

Ben-Gvir, lideri i një partie të ekstremit të djathtë, u bë ministri i parë izraelit në detyrë që hyri në Xhaminë Al-Aksa pas 5 viteve.

Përpara se Ben-Gvir të bëhej ministër në qeverinë e sapoformuar, ai përmendej shpesh për shkak të bastisjeve në Mesxhid al-Aksa, nxitjes së tij për akte dhune kundër palestinezëve dhe retorikës së tij raciste gjatë mandatit të tij si deputet.