Qeveria e SHBA-së sërish i shet armë Izraelit pa miratimin e Kongresit

Në SHBA, qeveria nën administrimin e presidentit Joe Biden, për herë të dytë pa miratimin e anëtarëve të Kongresit me arsyetimin e “emergjencës” vendosi t’i shesë armë Izraelit, i cili vazhdon sulmet ndaj Rripit të Gazës, transmeton Anadolu.

Në deklaratën me shkrim të zyrës së çështjeve politiko-ushtarake të Departamentit të Jashtëm thuhet se “Sekretari i Shtetit (Antony Blinken) miratoi shitje të mundshme ushtarake të huaj të plumbave M107 155 mm dhe pajisjeve përkatëse ndaj qeverisë izraelite për një shumë në vlerë prej 147.5 milionë dollarë. Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes lëshoi ​​sot certifikatën e kërkuar duke njoftuar Kongresin për këtë shitje të mundshme”.

Blinken i ka paraqitur Kongresit arsyetime të hollësishme se ka “një emergjencë që kërkon shitjen e menjëhershme të materialeve dhe shërbimeve ushtarake qeverisë së Izraelit në interes të sigurisë kombëtare”, thuhet në deklaratën ku bëhet e situr se në përputhje me nenin 36 (b) të Aktit të Kontrollit të Eksportit të Armëve, “Kongresi është hequr nga nevoja për rishikim”.

Në vazhdim të deklaratës thuhet se “SHBA-ja është e përkushtuar për sigurinë e Izraelit. Të ndihmosh Izraelin të zhvillojë dhe të mbajë aftësi të fortë dhe të gatshme vetëmbrojtëse është jetike për interesin kombëtar të SHBA-së”.

Gjithashtu, thuhet se këto pajisje ushtarake dhe mbështetje që do të jepen për Izraelin “nuk do të ndryshojnë ekuilibrin bazë ushtarak në rajon” dhe theksohet se është “detyrë e të gjitha vendeve” të përdorin municionet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare.

Më 9 dhjetor, bazuar në arsye të ngjashme Blinken miratoi pa e paraqitur në Kongres shitjen e rreth 14 mijë fishekëve të municionit për tanke, me vlerë mbi 106 milionë dollarë për Izraelin.

Kërkesa e Bidenit për një paketë ndihme prej rreth 106 miliardë dollarë për Ukrainën, Izraelin dhe nevoja të tjera të sigurisë kombëtare nuk ka marrë ende miratimin nga Kongresi për shkak të kundërshtimit të Partisë Republikane në lidhje me politikën e imigracionit dhe sigurinë kufitare.