Qeveria palestineze në mbledhje të jashtëzakonshme pas sulmit të Izraelit në Jenin

Qeveria e Palestinës do të mbajë “mbledhje të jashtëzakonshme” për të diskutuar hapat urgjent që duhet të ndërmerren pas sulmit të Izraelit ndaj qytetit Jenin në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi i Presidencës palestineze, Nabil Abu Rudeineh në radion shtetërore “Zëri i Palestinës” tha se Qeveria e Palestinës nën kryesimin e presidentit Mahmoud Abbas do të mblidhet në mbrëmje në një takim të jashtëzakonshëm për të diskutuar hapat urgjent që duhet të ndërmerren.

Ai theksoi se qeveria izraelite e ekstremit të djathtë i ka shpallur luftë popullit të Palestinës.

“Izraeli është shtet agresor që mbrohet nga SHBA-ja, ndërsa komuniteti ndërkombëtar është paralizuar si pasojë e presionit të SHBA-së. Krimet e kryera sot nuk do të mbesin pa ndëshkim. Bëhet fjalë për një sulm gjithëpërfshirës të Izraelit i cili vendos në objektiv popullin e Palestinës”, tha Abu Rudeineh.

“Ajo që po bën Izraeli është të luash me zjarrin dhe kjo do të ketë pasoja të tmerrshme”, nënvizoi Abu Rudeineh.

Në bastisjen dhe sulmin ajror që forcat izraelite ndërmorën mëngjesin e sotëm në qytetin Jenin të Bregut Perëndimor nën pushtim, humbën jetën 8 palestinezë ndërsa 50 të tjerë u plagosën.

Ndërsa një tjetër palestinez u vra nga ushtarët izraelitë në qytetin Al-Bira.