Qeveria italiane rrit dënimet deri në 30 vjet për trafikantët e qenieve njerëzore

Kohëzgjatja e burgimit për trafikantët e qenieve njerëzore do të vendoset deri në 30 vjet, njoftoi të enjten kryeministrja italiane, Giorgia Meloni pas një takimi të kabinetit të mbajtur simbolikisht në Cutro, në jug të vendit.

Masat e ashpra vijnë si nje përgjigje ndaj ngjarjes se 26 shkurtit, ku një anije u mbyt në Crotone, Italinë jugore, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 72 migrantëve.

Dekreti i ri shënjestron trafikantët, krimet e të cilëve rezultojnë në vdekje gjatë kalimeve të parregullta përtej kufijve.

“Ato do të zbatohen jo vetëm për trafikantët e kapur në territorin italian, por kudo në botë”, tha Meloni.

“Ne synojmë të përcjellim një sinjal simbolik dhe konkret”, tha Meloni pas takimit.

Më herët, agjencia italiane e lajmeve ANSA raportoi se rreth 1 350 migrantë kishin mbërritur në ishullin italian të Lampedusa me varkë nga Afrika e Veriut brenda 24 orëve, pavarësisht nga fatkeqësia në Crotone të Kalabrisë.

“Migrantët nga Siria, Jemeni dhe vende të tjera afrikane nisën udhëtimin e tyre nga qyteti bregdetar tunizian Sfax”, raportoi ANSA.

Rojet bregdetare italiane janë kritikuar ashpër ditët e fundit pasi nuk i kanë ardhur në ndihmë anijes së mbytur në Crotone e cila ishte nisur nga Turqia. /atsh