Mbi 800 hebrenj fanatikë të ekstremit të djathtë bastisën Xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar nën mbikëqyrjen e policisë izraelite, transmeton Anadolu.
Sipas deklaratës së bërë nga Administrata e Fondacioneve Islame e Kudsit, 830 hebrenj fanatikë bastisën Xhaminë Al-Aksa që nga orët e mëngjesit.
Policia izraelite i çoi grupet e hebrenjve të ekstremit të djathtë në Xhaminë Al-Aksa përmes Portës Magharib.
Dëshmitarët okularë raportuan se hebrenjtë fanatikë kryenin rituale fetare brenda Xhamisë Al-Aksa.
Përderisa gjenocidi i Izraelit në Gaza ka kaluar muajin e 20-të, bastisjet e hebrenjve fanatikë në Xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar janë shtuar kohët e fundit.
Ministrat e ekstremit të djathtë që janë emëruar në poste kritike në koalicionin e udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanyahu deklarojnë hapur se “hebrenjtë duhet të adhurojnë në Xhaminë Al-Aksa dhe një tempull hebre duhet të ndërtohet në vendin e Xhamisë Al-Aksa”.
Ministri i Financave i Izraelit, i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich, ka thënë se “dëshiron të ndërtojë një tempull në vendin e Xhamisë Al-Aksa dhe se ai vetë do të mbulojë buxhetin”.
Zvi Sukkot, një deputet i ekstremit të djathtë, ndau imazhe të tij duke ecur rreth Xhamisë Al-Aksa me një flamur izraelit, duke thënë: “Xhamia Al-Aksa është në duart tona”.
– Bastisjet janë në kundërshtime me “status-quo”-në
Sipas marrëveshjes së paqes të nënshkruar mes Izraelit dhe Jordanisë më 26 tetor 1994, Xhamia Al-Aksa ndodhet nën kujdesin e Administratës së Vakëfeve Islame të Kudsit, e cila është e lidhur me Ministrinë e Vakëfeve, Çështjeve Islame dhe Vendeve të Shenjta të Jordanisë.
Që nga viti 2003 e deri më sot, izraelitët nën shoqërimin e policisë hyjnë në vendet e shenjta me vendimin e njëanshëm të Izraelit, pa lejen e Administratës. Administrata e Vakëfeve Islame të Kudsit këto hyrje i cilëson si bastisje dhe thekson se po shkelet sovraniteti i myslimanëve.
Izraelitët po kryejnë gërmime nën kompleksin e xhamisë Al-Aksa e cila përfshin xhaminë e Kiblës dhe xhaminë e Kupolës së Shkëmbit, si dhe një muze, medrese dhe një oborr të madh, duke pretenduar se aty ndodhen “rrënojat e tempullit të Solomonit”.
Qeveria izraelite mbron idenë se po ruhet “status quo”-ja historike në xhaminë Al-Aksa në të cilën “mund të kryejnë adhurime vetëm myslimanët dhe anëtarët e feve të tjera vetëm mund të zhvillojnë vizita”.
Por, kolonët fanatikë hebrenj janë kapur shpesh në kamera duke u lutur dhe duke kryer rituale fetare gjatë bastisjeve që ata kryejnë në Al-Aksa nën mbrojtjen e policisë izraelite.
Megjithatë, shumica e klerikëve ultra-ortodoks hebre në Izrael theksojnë se hebrenjve u ndalohet fetarisht hyrja në Xhaminë Al-Aksa.


