“Qytetarët e Maqedonisë duhet të jenë të sigurt se konsumojnë ushqim të sigurt”

Sot në Shkup në organizim të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë me rastin e 7 Qershorit – Ditës Botërore të Ushqimit të Sigurit, u mbajt një tryezë e rrumbullakët nën moton “Ushqim i sigurt sot, për një të nesërme të sigurt”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë për mediat para tryezës së rrumbullakët, drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Nikollçe Babovski, tha se ngjarja e sotme do të adresojë mesazhin kryesor se siguria e ushqimit është përgjegjësi e të gjithëve, institucioneve, shkencës, operatorëve të biznesit, por edhe vetë konsumatorëve.

Duke iu referuar të dhënave dhe vlerësimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Babovski tha se më shumë se 600 milionë njerëz sëmuren dhe 420 mijë njerëz vdesin nga konsumimi i ushqimit të pasigurt që është i ndotur me baktere, viruse, parazitë, toksina ose substanca kimike.

Duke deklaruar se avancimi i çështjeve të sigurisë ushqimore mbetet prioritet i qeverisë në të ardhmen, Babovski tha se ato janë baza për zbutjen e ndikimeve socio-ekonomike të vendosura nga pandemia.

“Qytetarët e Maqedonisë duhet të jenë të sigurt se ata konsumojnë ushqim të sigurt, megjithëse fatkeqësisht është gjithmonë e mundur dhe ka lëshime të caktuara”, tha Babovski.

Si institucion përgjegjës, siç theksoi drejtori Babovski, në vitin 2020 inspektorët e ushqimit kryen gjithsej 54.382 kontrolle, ndërsa në kuadër të tyre inspektorët dhe operatorët shkatërruan afërsisht 238 tonë ushqim të pasigurt.

Marija Lonçar, kryetare e Organizatës për Mbrojtjen e Konsumatorit, theksoi se qytetarët më së shumti ankohen për produktet që nuk ruhen si duhet në vende të caktuara, për deklarimin e papërshtatshëm të produkteve dhe datën e skadimit të produkteve.

“Ka konsumatorë që telefonuan, të cilët kanë gjetur ndonjë xham ose nuk e di se çfarë në produkt. Besojmë se gjëra të tilla nuk duhet të thuhen në Facebook. Gjëra të tilla, nëse gjeni ndonjë gjë, duhet të raportohen në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë”, tha Lonçar.

Fushata globale për shënimin e 7 Qershorit – Ditës Botërore të Ushqimit të Sigurt, u mendua për herë të parë nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara (FAO) më 2019.

Qëllimi i nismës është të rrisë ndërgjegjësimin e publikut për sigurinë e ushqimit dhe të informojë publikun për rëndësinë e parandalimit dhe administrimit të rreziqeve që lidhen me të, promovimin e shëndetit të qytetarëve, prosperitetin ekonomik, zhvillimin bujqësor dhe tregjet. /aa