Raisi: Izraeli nuk arriti të parandalonte zhvillimin e programit bërthamor të Iranit

Presidenti iranian, Ebrahim Raisi, tha se programi bërthamor i Iranit është bërë autokton dhe se armiku më i madh i tij, Izraeli, nuk arriti ta parandalonte këtë përparim me sabotime, vrasje dhe kërcënime, raporton Anadolu Agency (AA).

Raisi mbajti një konferencë për shtyp në Teheran me rastin e përvjetorit të parë të mandatit të tij, ku morën pjesë media vendase dhe e huaja.

Duke iu referuar vrasjeve të shkencëtarëve bërthamorë iranianë, për të cilat Teherani fajëson Izraelin, presidenti iranian tha se atentatet ishin përpjekje të pasuksesshme izraelite për të penguar përparimin bërthamor të Iranit.

Raisi theksoi se aktivitetet bërthamore dhe teknologjia bërthamore janë të drejta të Iranit dhe tha se armët bërthamore nuk kanë vend në doktrinën mbrojtëse të vendit, duke iu referuar dekretit të liderit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.

“Askush nuk mund t’i heqë Iranit të drejtën e patjetërsueshme për teknologjinë bërthamore paqësore”, tha Raisi.

Deklaratat erdhën pasi Teherani dhe Washingtoni hynë në një fazë kritike të negociatave për të shpëtuar marrëveshjen mbi programin bërthamor të vitit 2015, ndërsa të dyja palët aktualisht janë duke shkëmbyer komente mbi projekt-propozimin nga Bashkimi Evropian.

Irani pritet të paraqesë përgjigjen e tij ndaj komenteve të SHBA-së mbi propozimin deri të premten, gjë që mund të hapë rrugën për rikthimin e marrëveshjes pas bisedimeve maratonë në Vjenë.

I pyetur nëse do të ishte i gatshëm të takohej apo të shtrëngonte dorën me presidentin amerikan, Joe Biden, gjatë samitit të ardhshëm të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, Raisi tha kategorikisht jo dhe shtoi se takimi apo biseda e tij me Biden do të ishte e padobishme.

“Irani kërkon heqjen dhe anulimin e sanksioneve amerikane, të cilat janë të paligjshme dhe brutale. Sanksionet nuk do të ndalojnë eksportet iraniane në vendet e tjera”, tha Raisi.

Ai tha gjithashtu se Teherani kërkon lidhje të fqinjësisë së mirë me vendet në rajon, duke shtuar se prania e faktorëve të huaj nxit pasigurinë.

Raisi ritheksoi gjithashtu rëndësinë e pranisë së Iranit në Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait dhe marrëdhëniet e tij me Kinën, duke shprehur angazhimin për zgjerimin e këtij bashkëpunimi në fusha të ndryshme.

Lidhur me marrëdhëniet me Rusinë, presidenti iranian tha se të dy vendet kanë shkëmbyer dokumente dhe kanë filluar punën e përbashkët për zhvillimin në fushën e energjisë. Ai shtoi se qeveria e tij është e përkushtuar për zbatimin e një pakti afatgjatë bashkëpunimi me Moskën në përputhje me marrëveshjen e arritur me Kinën. /aa