Rama: Dëshirojmë forcimin e marrëdhënieve me BeH-në, jemi duke përgatitur hapjen e ambasadës në Sarajevë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se dëshirojnë që t’i forcojnë marrëdhëniet me Bosnje dhe Hercegovinën dhe se janë duke përgatitur hapjen e ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Sarajevë, raporton Anadolu.

Rama realizoi sot një vizitë pune në BeH, kurse në Sarajevë u takua me kryetaren e Këshillit të Ministrave të BeH-së, Borjana Krishto, ndërsa gjithashtu u mbajt një takim i delegacioneve të Këshillit të Ministrave të BeH-së dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë.

Në fjalën e saj para gazetarëve, Krishto theksoi se u diskutua për marrëdhënie të mira dhe miqësore, të cilat nuk kanë çështje të hapura, duke theksuar forcimin e tyre. Ajo shtoi se bashkëpunimi duhet të jetë përmes intensifikimit të bisedimeve si në nivel institucional ashtu edhe përmes dialogut politik.

Ajo theksoi se e ka informuar Ramën për situatën aktuale politike në BeH dhe punën e Këshillit të Ministrave të BeH-së.

“Ne thjesht thamë se me gjithë kompleksitetin që ekziston, kur bëhet fjalë për marrëdhëniet shoqërore dhe politike, si dhe institucionale në BeH, Këshilli i Ministrave po punon në mënyrë aktive dhe po bën përparim në gjithçka që është në fokus dhe interes të BeH-së, dhe para së gjithash, respektin reciprok, dialogun dhe konsensusin rreth të gjitha çështjeve që do të garantojnë stabilitetin dhe të ardhmen evropiane të BeH, që është një nga synimet tona të përbashkëta të politikës së jashtme në BeH”, tha Krishto.

Krishto shtoi se mbështesin të gjitha iniciativat e bashkëpunimit rajonal dhe mbeten të përkushtuar ndaj Procesit të Berlinit. Në këtë kontekst, ajo tha se dy marrëveshje në kuadër të procesit të Berlinit i janë referuar institucionit të Presidencës së BeH, por rreth marrëveshjes nuk ka konsensus politik e as institucional. “Shpresojmë se me përpjekje shtesë në periudhën e ardhshme do të arrijmë ta kemi këtë të paktën deri në kohën kur Samiti i Procesit të Berlinit të mbahet në Tiranë”, tha ajo.

Rama: Bashkimi Evropian duhet të na mbështesë dhe më shumë

Rama ka theksuar se nuk është sekret që Republika e Shqipërisë mbron edhe interesat e shqiptarëve në Kosovë dhe në vende të tjera. “Unë ia thashë dhe kryeministres që ne jemi shumë të interesuar që marrëveshjet e Procesit të Berlinit dhe në radhë të parë marrëveshja për lëvizjen e lirë, me kartë identiteti për qytetarët shqiptarë të Republikës së Kosovës të mundësohet sepse është e pakuptimtë që ne të kemi problematika të kësaj natyre që zbresin deri në nivelin e qytetarëve, ndërkohë që politika duhet t’iu shërbejë në radhë të parë të gjithë qytetarëve pa dallim”, tha Rama.

Ai shtoi se “Dëshiroj të besoj që ashtu sikundër vetë Serbia i ka firmosur ato marrëveshje edhe Bosnjë Hercegovina do e bëjë këtë gjë”.

Rama tha se ka ardhur për të informuar Kryetaren e Këshillit të Ministrave të BeH-së për çfarë duhet të bëjnë në samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë në muajin tetor dhe sesi dëshirojnë që të ndërtojnë një qëndrim të përbashkët të të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Pa diskutim ne e mirëkuptojmë plotësisht dhe e mbështesim plotësisht mbështetjen që BE i jep në çdo aspekt Ukrainës dhe nuk ka vend për të bërë asnjë krahasim, por nga ana tjetër është e domosdoshme që në raport me Ballkanin Perëndimor, me të gjashtë vendet tona të ndërtohet një qasje e re. Nuk besoj se ne duhet të fillojmë ndonjë luftë apo të na vijë ndonjë agresor për të marrë më shumë mbështetje. Bashkimi Evropian duhet të na mbështesë dhe më shumë duke dhënë edhe një provë tjetër se sjellja e mirë shpërblehet, se vullneti për të shpërblyer paqen shpërblehet, se vullneti për ta lënë pas të shkuarën dhe për të përqafuar së bashku të ardhmen shpërblehet”, tha Rama.

Pas mbërritjes në aeroportin e Sarajevës, Rama u prit nga ministri i Jashtëm i BeH-së, Elmedin Konakoviq.

Kryeministri Rama është takuar edhe me anëtarin e Presidencës së BeH-së, Denis Beçiroviq.

Vizita e Ramës në BeH është pjesë e turit të tij në Ballkan, në kuadër të përgatitjeve për Samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet nga mesi i tetorit në Tiranë.

Ai dje ka vizituar Shkupin dhe Prishtinën, ndërsa sot pas Sarajevës ka udhëtuar për në Podgoricë, ndërsa në mbrëmje do të takohet me presidentin e Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Beograd.