Rama reagon për tensionet në Kosovë: BE-ja të thërrasë urgjent tryezën e dialogut

Kryeministri Edi Rama ka dënuar ashpër sulmin ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it në veri të Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka kërkuar që Bashkimi Evropian të thërrasë urgjent tryezën e dialogut.

“Sulmet mbi EULEX-in në Kosovë janë të dënueshme pa asnjë ekuivok ashtu siç është i dënueshëm çdo akt dhune ndaj policisë së Kosovës. Rishfaqja e barrikadave në Veri të Kosovës, bie ndesh me çdo ligj e çdo frymë dialogu e jo vetëm nuk zgjidh asgjë,po përkundrazi komplikon më tej çdo gjë! Shtyrja e votimeve nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës është një sinjal kuptimplotë, të cilit autoritetet e larta të Beogradit duhet t’i përgjigjen me të njëjtën frymë dhe ndjenjë përgjegjësie, për moslejimin e përshkallëzimeve të mëtejshme të akteve destabilizuese!

Beogradi duhet të ushtrojë ndikimin e vet mbi serbët e Veriut të Kosovës, pa i justifikuar assesi veprimet e tyre cilatdoqofshin arsyet! Arsyet diskutohen nuk përdoren si armë kundër policisë e si barrikada kundër rendit ligjor.BE-ja duhet të thërrasë urgjent tryezën e dialogut”, shkroi Rama në Twitter.