Ballina Artikuj Ramazani na mëson të kemi ambicje të lartë! – Mesazhe Ramazani 5

Ramazani na mëson të kemi ambicje të lartë! – Mesazhe Ramazani 5

Hoxhë Sadik Avdiu

Në Islam, ambicia e lartë është e lavdërueshme dhe e kërkuar.

Për muslimanët, synimi më i lartë është të afrohet me Allahun dhe të arrijë Xhenetin.

Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) ka thënë:

“Kur të kërkoni Xhenetin, kërkoni Firdeusin, sepse ai është më i larti dhe më i miri.” (Buhariu dhe Muslimi)

Kjo tregon se një mysliman duhet të ketë synime të mëdha dhe të mos kënaqet me pak në çështjet e tij.

Muslimani është kërkues dhe patjetër që synon shumë.

Thotë Allahu i Madhëruar në Kuranin Fisnik: “Ata që besuan dhe vepruan vepra të mira, do të kenë shpërblime të shumta”. (et Tiin 6)

Agjërimi dhe ambicia e lartë në Islam janë të ndërlidhura ngushtë, pasi agjërimi forcon vetëkontrollin, disiplinën dhe vendosmërinë cilësi thelbësore për arritjen e synimeve të mëdha.

Agjërimi është një trajnim i fuqishëm për këto aftësi.

Agjërimi na mbanë larg nga ushqimi dhe pijet për orë të tëra, duke na mësuar të përballojmë ndjenjën e mungesës.

Agjërimi ndihmon në këtë, sepse:

• Të mëson të kontrollosh epshet dhe dëshirat, duke zhvilluar durim dhe vetëkontroll.

• Forcon vullnetin, pasi një person i cili mund të përmbahet nga ushqimi dhe uji për hirë të Allahut mund të përmbahet edhe nga zakonet dhe sjelljet e dëmshme.

• Një person ambicioz nuk dorëzohet lehtë. E agjërimi është një praktikë që kërkon vendosmëri.

Si përfundim mund të themi:

Nëse një person dëshiron të arrijë diçka të madhe në jetë, ai duhet të mësojë të përballojë vështirësitë, të qëndrojë i përqendruar dhe të mos ndikohet nga shpërqendrimet.

Hoxhë Sadik Avdiu