Raportuesja e OKB-së: Izraeli nuk do ta ndalë ‘këtë çmenduri’ derisa ne ta ndalojmë atë

Francesca Albanese

Raportuesja e posaçme e OKB-së për Palestinën u kërkoi vendeve anëtare të vendosin sanksione ndaj Izraelit së bashku me një embargo armësh derisa ai të ndalojë “këtë çmenduri”, transmeton Anadolu.

“Të jemi të qartë. Ndërsa GJND-ja urdhëron Izraelin të ndalojë ofensivën e tij në Rafah, Izraeli i intensifikon sulmet e tij në të”, tha Francesca Albanese në X.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në vendimin e saj të fundit urdhëroi Izraelin që të ndalojë menjëherë ofensivën e tij ushtarake në Rafah, një qytet në Gazën jugore ku më shumë se 1,5 milion palestinezë të zhvendosur kanë kërkuar strehim.

“Lajmet që po marr nga njerëzit e bllokuar aty janë të tmerrshme”, tha ajo.

“Të jeni të sigurt: Izraeli nuk do ta ndalojë këtë çmenduri derisa NE ta ndalojmë atë”, shtoi ajo.

Albanese u kërkoi të gjitha vendeve anëtare të OKB-së të “imponojnë sanksione, embargo armësh dhe të pezullojnë marrëdhëniet diplomatike/politike me Izraelin derisa ai të ndalojë sulmin e tij”.

Të premten, GJND-ja ripohoi urdhrat e saj të mëparshëm dhe tregoi masa të mëtejshme, duke përfshirë mbajtjen e hapur të kalimit kufitar Rafah dhe lejimin e hyrjes për hetuesit në enklavën e bllokuar.

Mbi 35.800 palestinezë janë vrarë në Gaza, shumica dërrmuese gra dhe fëmijë, dhe rreth 80.300 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite që nga tetori pas një sulmi nga Hamasi.

Më shumë se shtatë muaj pas fillimit të luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë në rrënoja, krahas një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.