Raportuesja e OKB-së: Zyrtari saudit mu kërcënua me vdekje për raportin e Khashoggi-t

Raportuesja Speciale e Kombeve të Bashkuara (OKB) për Ekzekutimet Jashtëgjyqësore, Agnes Callamard, tha se një zyrtar saudit e kërcënoi atë me vdekje për shkak të raportit mbi vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Callamard zbuloi në një intervistë për “The Guardian” se në janar të vitit 2020, në një takim në Gjenevë, një zyrtar i lartë saudit i tha asaj se “do të kujdesej për të në rast se ajo nuk ndalet”.

Ajo tha se e mori këtë informacion nga një koleg dhe kur u pyet se çfarë do të thoshte konkretisht një fjali e tillë, ai u përgjigj se ishte një kërcënim i hapur për vdekje.

Ajo theksoi se kërcënimi u bë në një takim ku morën pjesë diplomatë dhe zyrtarë sauditë, si dhe zyrtarë të OKB-së gjatë një vizite në Gjenevë, dhe se puna e saj mbi vrasjen e Khashoggi u kritikua gjatë të njëjtit takim.

Raportuesja e OKB-së gjithashtu tha se autoritetet saudite kishin pretenduar në mënyrë të gabuar se ajo kishte marrë para nga Katari.

Callamard tha se pas reagimeve të zyrtarëve të OKB-së, disa zyrtarë sauditë thanë se një deklaratë e tillë nuk duhej marrë seriozisht, pas çka u përsërit i njëjti kërcënim.

Callamard, në një raport të publikuar në qershor të vitit 2019, deklaroi se “vrasja e Khashoggi-t është një ekzekutim jashtëgjyqësor për të cilin është përgjegjës shteti i Arabisë Saudite”.

Komuniteti amerikan i inteligjencës konfirmoi zyrtarisht në fund të shkurtit se Princi Saudit Mohammad bin Salman kishte miratuar vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi.

Raporti, i përpiluar nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA), Agjencia Kombëtare e Inteligjencës (DNI) dhe organizata të tjera të inteligjencës, arriti në përfundimin se Salman miratoi vrasjen e Khashoggi-t në Konsullatën e Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll.

Jamal Khashoggi, gazetari i angazhuar në Washington Post, u vra në kompleksin e konsullatës saudite në Stamboll, më 2 tetor 2018, ku ai shkoi në datën e caktuar atë ditë për të marrë dokumentet e nevojshme personale për martesën.

Pas disa ditësh mohimi, autoritetet saudite pranuan se Khashoggi u vra, dhe më pas një gjykatë në Arabinë Saudite dënoi pesë të pandehurit me vdekje. Tre të pandehur të tjerë morën dënime me burg në total prej 24 vjetësh. Bashkëpunëtorët e ngushtë të princit Bin Salman janë liruar nga të gjitha akuzat.

Komisariati i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) pretendon në një raport me 101 faqe se vrasja e Khashoggi-t ishte një akt i paramenduar nga Arabia Saudite. Raporti thotë se ka prova të vlefshme për nevojën për të hetuar përfshirjen e zyrtarëve të lartë sauditë në atentat, përfshirë princin Bin Salman.

Agjencia Qendrore e Inteligjencës Amerikane (CIA) gjithashtu arriti në përfundimin se princi Bin Salman urdhëroi vrasjen e Khashoggi-t, por Trump mbrojti Bin Salman-in nga përballja me pasojat e këtij akti dhe bllokoi dërgimin e raporteve të inteligjencës tek anëtarët e Kongresit Amerikan.