RD e Kongos, 23 të vdekur nga rrëzimi i avionit mbi një vendbanim

Të paktën 23 persona kanë humbur jetën si pasojë e rrëzimit të një avioni privat mbi një vendbanim në lindje të Republikës Demokratike të Kongos, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas mediave lokale, avioni i tipit Dornier-228 i transportuesit privat Busy Bee është rrëzuar mbi një vendbanim në qytetin Goma në provincën Kivu Veriore pak kohë pas ngritjes.

Zyrtarët e firmës thanë se në bord gjendeshin 19 persona, përfshirë dy pjesëtarë të ekuipazhit, dhe se avioni mund të jetë rrëzuar si pasojë e problemeve teknike.

Ndërkohë, drejtori i Mbrojtjes së Aviaconit Civil, Joseph Makundi, tha se në vendin e aksidentit kanë gjetur kufomat e 23 njerëzve.

Guvernatori i provincës Kivu Veriore, Carly Nzanzu Kasivita, tha se janë informuar se avioni është nisur me vonesë.

Misioni i Stabilitetit i OKB-së (MONUSCO) ka dërguar dy automjete të zjarrfikësit dhe një ekip të shpëtimit në vendin e ngjarjes.

Nga ana tjetër, në pamjet e publikuara në rrjetet sociale shihen tymra nga mbetjet e avionit të rrëzuar mbi një shtëpi në lagjen Mapendo/Birere pranë aeroportit.