Reflektime kuranore (2)

Prof. Adnan Simnica

“Kur Ne, pas së keqes që i godet, u japim njerëzve të shijojnë mëshirën, ata përsëri bëjnë kurthe kundër argumenteve Tona! Thuaj: “Allahu është më i shpejtë në dënim”. Me të vërtetë, të dërguarit Tanë (engjëjt) shënojnë intrigat tuaja”. (Junus, 21)

Njerëzit nuk besojnë nga kryeneçësia!
Në ajetet paraprake Allahu Fuqiplotë paraqet natyrën e përgënjeshtrimit nga ana e mohuesve, të cilët në çdo situatë refuzojnë argumentet absolute hyjnore, duke adhuruar zota të trilluar nga hamendja e tyre dhe duke shpifur në vazhdimësi kundër Zotit të Vërtetë të gjithësisë – Allahut, i Cili është i pastër dhe i lartësuar mbi gjithçka që i shoqërojnë Atij në adhurim. Allahu xh.sh. sqaroi se njerëzit në kohën e zbritjes së Kur’anit nga kryeneçësia e tyre kërkuan nga Muhamedi a.s. argumente të tjera përveç Kur’anit, e më vonë morën përgjigje hyjnore për këtë, kurse në këtë ajet Krijuesi jep një sqarim tjetër, duke theksuar se pabesimtarët nuk binden kurrë, sado argumente e prova të shohin. Përkundrazi, atyre edhe më shumë u shtohet mendjemadhësia, arroganca, dhe nuk besojnë, mbase kryeneçësia dhe përgënjeshtrimi janë të pranishme vazhdimisht tek ata, ngase ata shohin shumë prova në horizont që argumentojnë mbi ekzistimin e Zotit Një dhe përsëri mohojnë, madje u shtohet edhe më shumë mohimi. Të tillë janë pabesimtarët e të gjitha kohëve, madje të tillë mbesin deri në Kiamet, edhe nëse shohin çdo argument të mundshëm, përsëri mohojnë nga kryeneçësia, një e vërtetë kjo e theksuar në Shpalljen hyjnore: “… ata nuk besojnë, edhe sikur t’u kishin paraqitur atyre çdo lloj argumenti…”. (Junus, 96-97)
Krijuesi Fuqiplotë dëshmoi se çfarëdo argumenti t’u paraqitej pabesimtarëve, do të ishte e kotë dhe ata nuk do të besonin, sepse kërkesat e tyre për argumente të tjera kishin për qëllim vetëm ruajtjen e interesave të tyre personalë të kësaj bote dhe qëndrimin larg nga pasimi i dikujt tjetër. Argument për këtë është se, Allahu xh.sh., pasi u çoi pabesimtarëve të kohës së zbritjes kuranore vështirësi, e më pastaj ua largoi atë me mirësi, ata vazhduan me mohim e kryeneçësi, ngase këto dukuri ishin bërë tek ata të zakonshme dhe shprehi në çdo situatë. Përmbajtja kuptimore e këtij ajeti është theksuar edhe në një ajet tjetër po të kësaj sureje, ku thuhet: “E, kur njeriun e gjen e keqja, atëherë Na lutet shtrirë ose ulur, ose në këmbë. E, sapo Ne ia largojmë të keqen, vazhdon rrugën, thuajse nuk na është lutur për fatkeqësinë që e pati goditur”, mirëpo, në këtë ajet, të cilin po e diskutojmë, Allahu xh.sh. sjell një hollësi tjetër lidhur me njerëzit e tillë, të cilët, pas kalimit të vështirësive me mirësi e begati, bëjnë kurthe e dredhi dhe kërkojnë ndëshkimin e katastrofën ndaj tyre. Ndaj, shkak i kërkesës së tyre për argumente të tjera dhe për propozime të këqija që bënin, ishin të mirat dhe begatitë që kishin në jetë(1). A nuk janë pabesimtarët edhe sot e kësaj dite të tillë?! Me gjithë vërtetësinë e Kur’anit dhe argumenteve në gjithësi, të zbuluara e të paraqitura me prova nga shkencëtarët, ata përsëri mohojnë Allahun, madje përgënjeshtrojnë edhe më shumë!!

Njerëzit, përbuzës ndaj mëshirës hyjnore…. përveç besimtarëve!

I Madhërishmi Allah paraqet sjelljet e njeriut, i cili del nga natyrshmëria e krijuar nga Ai, mbase, kur e godet e keqja, ai shqetësohet së tepërmi, ndërsa, kur ka mirësi, ai bëhet mendjemadh dhe harron kohën e vështirësisë. Dhe, ja, realisht kjo është gjendja e njeriut, i cili në esencë është jodurimtar, kur ka begati dhe gëzime – bëhet mosmirënjohës dhe jofalënderues, e kur sprovohet me ndonjë vështirësi – liget dhe dobësohet së tepërmi dhe doemos mbështetet tek Krijuesi, e nëse e shijon mëshirën dhe mirësinë, përsëri kthehet në të kaluarën(2). A nuk janë njerëzit mosmirënjohës dhe përbuzës ndaj mirësive hyjnore?! Fakt i çuditshëm, njerëzit nuk E përmendin Krijuesin e tyre përveçse në situata të vështira, e kur i kalojnë ato, ata bëhen mosmirënjohës, prandaj, rezultat i kësaj është mendjemadhësia dhe nga kjo situatë e tillë shpëtojnë vetëm besimtarët e sinqertë e të devotshëm. Kështu veproi populli me Musain a.s., ata, sa herë që e kuptonin se ishin para ndëshkimit, kërkonin ndihmë nga ai dhe premtonin se do të përmirësoheshin, e kur u vinte mëshira hyjnore, ata bënin kurthe e intriga kundër argumenteve hyjnore e i përgënjeshtronin ato, dhe meritat ia atribuonin vetes së tyre. Kështu vepruan edhe kurejshitët në kohën e zbritjes së Kur’anit: kur u frikësuan nga ndëshkimi i mundshëm hyjnor, shkuan tek Muhamedi a.s. dhe kërkuan nga ai ta luste Allahun xh.sh. dhe Ai iu përgjigj Muhamedit a.s., po megjithatë, ata përsëri bënë lajka e kurthe kundër argumenteve hyjnore. Kjo nënkupton pa dyshim se situata e tillë tek njeriu është një dukuri në vazhdimësi nëse nuk menaxhohet dhe rregullohet me besim – iman(3). Vetëm besimi i sinqertë dhe me devotshmëri balancon gjithë jetën e njeriut, eliminon mendjemadhësinë, zgjon ndjenjën për falënderim dhe mposht egon e kryeneçësinë.

Kryeneçësia gjithnjë e pranishme tek pabesimtarët… por kundër tyre!

Pasi kuptoi qartë se pabesimtarët e kohës së zbritjes së Kur’anit (kurejshitët) po e tepronin me përgënjeshtrimin e argumenteve hyjnore, atëherë Muhamedi a.s. luti Allahun xh.sh. t’u çonte thatësi dhe uri për disa vjet, sikur në kohën e Jusufit a.s. në Egjipt. Prandaj, atyre iu desh të besonin doemos misionin e tij, sepse kuptuan se vështirësia që i kishte goditur, ishte rezultat i kryeneçësisë së tyre, që çoi drejt lutjes së Muhamedit a.s. drejtuar Krijuesit: “O Allah, goditi ata me ato vite si të kohës së Jusufit”(4). Pasi kaluan shtatë vjet të thatësisë dhe erdhi mëshira hyjnore me shi e gjallëroi të lashtat e tyre, ata nuk falënderuan Krijuesin për këto mirësi, por hulumtuan dhe analizuan shkaqet e shiut(5). Ata këto mirësi ua atribuan planetëve apo idhujve të tyre që adhuronin, ndonëse shiu ishte shpëtim për ta. Këtë ia atribuan edhe rastësisë, e dihet se shkak i mirësisë hyjnore ndaj tyre ishte përsëri lutja e Muhamedit a.s., mirëpo ata sërish mohuan mëshirën hyjnore. Pavarësisht nga ky argument, atyre vetëm sa iu shtua edhe më shumë mohimi dhe përgënjeshtrimi(6). Pjesa e ajetit “(kur qe) ata përsëri bëjnë kurthe kundër argumenteve Tona!”, dëfton formën befasuese nga ana e tyre, që nënkupton se ata, menjëherë pasi u erdhën begatitë, shpejtuan befasishëm me hile dhe intriga kundër misionit hyjnor(7). Shprehja kuranore “kurthe” pra, nënkupton talljen e përgënjeshtrimin(8) nga ana e pabesimtarëve kundër thirrjes islame. A nuk janë të tillë edhe sot e kësaj dite pabesimtarët?! Pa dyshim që po! Ata në vazhdimësi çdo gjë në gjithësi ia atribuojnë rezultatit të punës dhe angazhimit të tyre, ose rastësisë së natyrës, e nuk duan të dëgjojnë për ekzistimin e Krijuesit Allah
– Zotit të Vetëm të gjithësisë. Madje, mundohen, pa zgjedhur mënyrë, me tallje dhe ironi të shkatërrojnë dritën e ligjit hyjnor, një ëndërr që nuk do ta realizojnë kurrë!!
Ata gjykuan vetëm në bazë të shkaqeve materiale, e jo në bazë të bindjes në besimin hyjnor, për këtë arsye atyre u shtohej edhe më shumë mohimi dhe përgënjeshtrimi. Ata gjykuan sikur kur,në rast të ndonjë lufte, analizohen shkaqet e fitores vetëm nga përgatitja ushtarake, e nuk merret parasysh ndihma dhe inkurajimi hyjnor që përjetojnë besimtarët dhe që bëhet shkak vendimtar i vullnetit shpirtëror për luftë deri në fitore, ose shpërblim për rënien dëshmor (shehid). Në këtë vështrim del se, ata që mendojnë në fitore pa besim hyjnor, vetvetiu i shërbejnë besimit të mirëfilltë islam, ngase mohimi i së vërtetës zvogëlon shumë bindjen në fitore në bazë të shkaqeve të tjera, por pa besim. Dhe, ja, kështu Allahu xh.sh. forcon fenë e Tij, për të cilën kemi përplot dëshmi. Sa për ilustrim, të theksojmë: Hebrenjtë u rrëfenin banorëve të Medinës (fiseve Evs dhe Hazrexh) se do të vinte nga radha e tyre një pejgamber dhe se ata do ta pasonin atë, e pastaj do t’i mbysnin arabët, sikur që përjetuan dikur populli Ad dhe Irimi. Dhe, kur u shpall Muhamedi a.s. pejgamber, Evsi dhe Hazrexhi shpejtuan dhe besuan në Islam, e thanë: Ky është pejgamberi me të cilin na kërcënuan hebrenjtë, andaj, le t’i besojmë ne, para se ta besojnë ata”. Shih, realisht veprimi i hebrenjve u bë shkas dhe shtysë për Islamin e fiseve medinase, dhe kështu Allahu xh.sh. ndihmon fenë e Tij, qoftë edhe me veprimet e mohuesve, pavarësisht nga bindja e tyre se ata po bënin kurthe kundër besimtarëve(9). Vini re, kjo paraqet madhështi, sepse pabesimtarët, duke menduar dhe punuar për të shkatërruar Ligjin hyjnor, ata vetëm sa argumentojnë vërtetësinë e tij dhe i forcojnë besimtarët. Të tilla raste ndodhin vazhdimisht dhe do të jenë të pranishme deri në Kiamet, sepse Allahu xh.sh. ka garantuar ligjin e Tij.

Krijuesi rrëzon gjithnjë kurthet e pabesimtarëve

Krijuesi planifikon ndëshkimin e pabesimtarëve përpara kurtheve të tyre dhe është absolutisht më i shpejtë në këtë punë, ndonëse ata planifikonin dhe planifikojnë zhdukjen e dritës hyjnore islame. Për këtë arsye, në vijim të ajetit, Fuqiploti ka theksuar: “Thuaj: “Allahu është më i shpejtë në dënim”. Me të vërtetë, të dërguarit Tanë (engjëjt) shënojnë intrigat tuaja”, për t’iu treguar pabesimtarëve se Ai di dhe dëgjon çdo gjë që planifikojnë ata fshehurazi, prandaj u hakmerret atyre(10). Kjo vërteton se Allahu xh.sh. është i shpejtë në ndëshkim ndaj tyre para se ata të realizojnë kurthet dhe intrigat e tyre ndaj Islamit(11). Me këtë dëshmi Allahu i Madhërishëm i kërcënonte ata se Ai mund t’ua merrte ato begati dhe t’i bënte ta respektonin patjetër Pejgamberin a.s. dhe t’i linin ato ide të mbrapshta(12).
Zoti Fuqiplotë ka mundësi të përgjojë çdo gjë në gjithësi në mënyrë absolute. Njeriu ka zbuluar shumë aparate të përsosura, me të cilat regjistron dhe përgjon çdo telefonatë në mes njerëzve, një arritje kjo e krijesës njeri, që e aplikon me njeriun tjetër, por imagjinoni përgjimin hyjnor të Krijuesit ndaj njerëzve??!!. A nuk është kjo madhështore?! Allahu xh.sh. është absolutisht i pakrahasueshëm në këtë çështje, Atë s’mund ta përgjojë askush dhe s’mund ta mposhtë askush, ngase Ai di të ardhmen para se të ndodhë, dhe vepron në mënyrë absolute si të dojë. Njerëzit mund të zbulojnë kurthet e njëri-tjetrit ose të përgjojnë njëri-tjetrin, por Krijuesin kurrsesi dhe në asnjë mënyrë s’mund ta përgjojnë e as të prishin planet e Tij. Ekzistojnë tri mënyra për të zbuluar hiletë dhe kurthet e dikujt nga njerëzit: me raportim nga ndonjëri që ka marrë pjesë në planifikimin e intrigës, ose nëpërmjet aparateve teknologjike, ose nëpërmjet të dërguarve të Allahut (engjëjve), të cilët regjistrojnë në mënyrë absolute çdo gjë që veprojnë njerëzit, prandaj këtë e konfirmon Krijuesi me fjalët: “Ndonëse mbi ju ka Përcjellës (rojtarë që ju vëzhgojnë), shënues të nderuar, që dinë gjithçka që bëni” (El Infitar, 10-11-12)(13). Zoti Fuqiplotë nuk ka nevojë për dy mënyrat e para, të cilat i shfrytëzojnë njerëzit, sepse Ai ka krijuar çdo gjë në gjithësi, e në mesin e tyre edhe njeriun, prandaj Ai ka nën kontroll dhe përcjellje absolute çdo gjë. Meqë pabesimtarët nuk zgjedhin mënyrë dhe as rrugë për të shkatërruar Islamin, Allahu xh.sh. me këtë dëshmi kuranore vërteton Madhështinë e Tij, duke dëshmuar se Ai në mënyrë absolute mbikëqyr çdo send në gjithësi. Krijuesi dëshmon prerazi se Ai kontrollon, regjistron dhe përgjon çdo gjë, e edhe kurthet, intrigat dhe planet e pabesimtarëve kundër Tij dhe misionit hyjnor. Prandaj, Ai i prish dhe shkatërron të gjitha ato, si në rastet e dikurshme tek pejgamberët me popujt e tyre, ashtu dhe në kohën e zbritjes së Kur’anit, e më tutje njësoj, deri në Kiamet. Madje, Ai nganjëherë transferon kurthet dhe intrigat e tyre në shërbim të Islamit dhe besimtarëve, e kjo është, pa dyshim, madhështore.

___________________________
1. Tefsir El-Fahru Er-Razi, Mefatihul-Gajb, vëll. i 17, f. 68-69, botimi i 1 1981, Darul- fikr, Bejrut.
2. Muhmaed Ebu Zehra, Zehretu Et-Tefasir, f. 3542, Darul-Fikr El-Arabij, viti i bot. 1987, Kajro
3. Sejjid Kutub, Fi Dhilalil Kuran, vëll i 3, f. 1773, viti i bot. 1996, Darush-Shuruk, Bejrut.
4. Hadithi transmetohet nga Ebu Hurejra. Imam Buhariu (1006), dhe Imam Ahmedi (2/470,502,521)
5. Muhamed Muteveli Esh-Sharavi, Tefsiri i Sharaviut, vëll. 9, f. 5836, Ahbarul-Jevm, pa vit botimi, Kajro.
6. Ahmed Mustafa El-Meragi, Tefsir El-Meragi, f. 88, viti 1946 botimi 1, shtëpia bot. Mustafa el-babi elhalebi ve evladuhu, Kajro
7. Tefsir El-Fahru Er-Razi, f. 69
8. Tefsir Et-Taberijj, Xhamiul Bejani an Te’vili Aj El-Kuran, vell i 12, f. 145, viti i bot. 2001, Kajro
9. Tefsiri i Sha’raviut, f. 5837-5838
10. Tefsiri i Zemahsheriut, El-Keshaf an Hakaiki Gavamid et-tenzil ve Ujun El-Ekaviil fi Vuxhuhi Et-te’vil, vell i 3, f. 124, viti i bot. 1998, Rijad
11. Imam Kurtubiu, El-Xhamiu liAhkamil Kuran vel Mubejjenu lema tedamenehu min es-suneti ve ajil Furkan, vell. i dhjetë, faqe 473, bot. 1. 2006, shtëpia botuese er-Risale, Bejrut
12. Tefsir El-Fahru Er-Razi, f.69
13. Tefsiri i Sha’raviut, f. 5840-5841