Refugjatët e ardhur në qytetin turk Edirne vazhdojnë përpjekjet e tyre në ditën e 18-të të pritjes në kufi për të kaluar në Evropë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Disa nga refugjatët përdorin më së shumti kalimet nga lumi, ndërsa disa të tjerë me shpresën se Greqia do të hapë dyert vazhdojnë të presin në zonën e ndërmjetme mes pikave kufitare Pazarkule-Kastanies dhe në territorin me pemë në afërsi të saj.
Mbi 10 mijë refugjatë që kanë kaluar natën në çadrat e ngritura në këto zona, vazhdojnë përpjekjet e tyre në kushte të vështira.
Për shkak të rrebeshit të shiut dje, shumë prej sendeve të refugjatëve që qëndrojnë në çadra të improvizuara u lagën. Ndërsa shumë prej tyre kanë pasur shqetësime nga rënia e menjëhershme e temperaturave të motit. Por, sot në krahasim me dje thuhet se moti do të jetë më i ngrohtë.
Pavarësisht ndërhyrjes së pamëshirshme nëpërmjet ujit me presion, bombave të gazit dhe plumbave, refugjatët mendojnë ende se Greqia do të hapë dyert e saj dhe gjithashtu janë përqendruar në samitin që do mbajnë nesër presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Samiti i liderëve i cili ishte planifikuar të mbahej në Stamboll nën kryesimin e Erdoğan thuhet se ky samit do të mbahet nëpërmjet telekonferencës për shkak të koronavirusit të ri (Covid-19).



