Rimac Nevera turpëron Ferrari 458 në autostradë, as që arrin t’i afrohet e lëre më ta kalojë

Rimac Nevera ka ofruar “spektakël” rrugëve të Kalifornisë, ku shihet sesi shoferi i një Ferrari tenton të matë forcat me super veturën elektrike të prodhuar në Kroaci.

Në YouTube është publikuar videoja me titullin “Ferrari 458 poshtërohet Rimac Nevera”, që shfaq situatën ku shoferi i Ferrari mbetet gojëhapur kur Nevera e lë prapa derisa tenton t’i afrohet.

Ferrarin 458 po e vë në lëvizje motori 4.5 litërsh V8 që prodhon 562 kuaj-fuqi, e ka ndërruesin automatik me shtatë shpejtësi.

Shpejtësinë nga 0-100 kilometra në orë e arrin për 3.4 sekonda, kurse maksimalja është e kufizuar në mënyrë elektronike në 325 kilometra në orë.

Në anën tjetër, Rimac Nevera ka katër motorë elektrike që prodhojnë 1.914 kuaj-fuqi. Kjo super veturë elektrike arrin që shpejtësinë nga 0-100 kilometra në orë për 1.97 sekonda, kurse atë prej 0-300 për 9.3 sekonda.

Shpejtësia maksimale është 412 kilometra në orë, e bateria me kapacitet prej 120 kËh i mundëson të ketë një rreze prej 547 kilometra – pra me vetëm një mbushje të baterisë.

“Kemi hasur në një Rimac Nevera që ka shkatërruar plotësisht një Ferrari 458 dhe një Honda NSX, që tentuan ta arrijnë veturën kroate”, tha autori i videos.