Rreziqet në lidhje me përdorimin e parasë virtuale

Sipas Bankës së Shqipërisë, fenomeni i qytetarëve që investojnë në para virtuale është i pranishëm edhe në Shqipëri.

“Sipas informacioneve që ne kemi marrë është që ekziston një numër transaksionesh të reduktuara, të limituara në vlera”, thotë Deniz Dërralla, drejtor i Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë.

Paraja virtuale është një monedhë që tregtohet vetëm në internet. Monedha më e njohur është “BitCoin”, e cila u krijua nga rrjetet sociale.

“Dhe me pas njerëz të interesuar janë përpjekur ta fusin atë në transaksionet të tjera kryesisht në blerjen e biletave të shfaqjeve, apo të objekteve që shiten në internet, duke e bërë atë një monedhë të tregtueshme”, deklaron drejtor i Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë.

Banka e Shqipërisë i këshillon qytetarët dhe bizneset që të mos investojnë në monedha virtuale, pasi ka shumë rreziqe.

“Kursi i këmbimit mund të ndryshojë shumë shpejt, është e paqëndrueshme dhe është një monedhë e cila nuk ka një zot. Nëse paraja konvencionale emëtohet nga bankat qendrore, BitCoin, apo monedha virtuale të tjera nuk kanë një institucion që merr përsipër garantimin e tyre”, shton Dërralla.

Prej këtu buron edhe rreziku më i madh i tyre, pamundësi për t’i këmbyer në para që vlejnë.

“Nëse ti ke një sasi parash virtuale dhe do të kërkosh t’i konvertosh në para konvencionale, askush nuk të garanton kthimin e tyre”, paralajmëron BSH.