Kolonët hebrenjë kanë përshkallëzuar sulmet ndaj qytetarëve palestinezë dhe pronave të tyre në disa zona të Bregut Perëndimor, duke shënjestruar fshatra dhe automjete në rrugët kryesore mes qyteteve.
Në jug të Jeninit, në fshatin Fundukumiya, kolonët kanë djegur shtëpi dhe automjete, ndërsa banorët u përpoqën të shuajnë zjarret dhe të përballen me sulmin. Po ashtu, në Sila al-Dhahr, u sulmuan shtëpi dhe u tentua djegia e tyre, ku mbeti i plagosur një qytetar.
Në zonën e Masafir Jatta, në jug të Hebronit, dy persona u plagosën dhe tre të tjerë u arrestuan gjatë një sulmi të kolonëve nën mbrojtjen e forcave izraelite. Forcat bastisën edhe një banesë, shkatërruan orenditë dhe dhunuan familjarët, duke lënë të lënduar një grua.
Ndërkohë, në Luginën e Jordanit verior, në Ain al-Hilweh, kolonët sulmuan banorët duke përdorur gaz piperi.
Sulme u raportuan edhe në rrugë të ndryshme kryesore, ku automjetet e qytetarëve u qëlluan me gurë në disa zona, përfshirë afër Ramallahut, Nablusit, Salfitit dhe Betlehemit, por pa raportime për të lënduar.
Autoritetet lokale bëjnë të ditur se sulmet janë në rritje, ndërsa situata në terren mbetet e tensionuar. /mesazhi








