Rusia mbetet furnizuesi kryesor i naftës së papërpunuar për Indinë

Sipas gjurmuesit të ngarkesave të energjisë ‘Vortexa’, importet e naftës së papërpunuar të Indisë nga Rusia u rritën me 15 për qind në muajin maj, duke tejkaluar kapacitetin e kombinuar nga Arabia Saudite, Iraku, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe SHBA-ja, transmeton Anadolu.

Rusia e furnizoi Indinë me rreth 1.96 milionë fuçi në ditë në muajin maj, ndërsa Iraku eksportoi 830 mijë fuçi në ditë, Emiratet e Bashkuara Arabe siguruan 203 mijë fuçi në ditë dhe SHBA-ja 138 mijë fuçi në ditë.

Ndërkohë, furnizimi me naftë bruto nga Arabia Saudite ra në 560 mijë fuçi në ditë, niveli më i ulët që nga muaji shkurt i vitit 2021.

Në muajin maj, nafta ruse përbënte rreth 42 për qind të importeve totale të Indisë, përqindja më e lartë e çdo vendi në vitet e fundit.

Anëtarët e OPEC-ut kontribuuan me 39 për qind të importeve të naftës në Indi në muajin maj, duke arritur në 1.8 milionë fuçi në ditë, respektivisht një rënie nga 2.1 milionë fuçi në ditë në muajin prill.

Bashkimi Evropian (BE) dhe vendet e grupit G7 ndaluan blerjen e naftës së papërpunuar nga Rusia deri nga 5 dhjetori i vitit të kaluar dhe vendosën një kufi të çmimit të naftës së papërpunuar prej 60 dollarë për fuçi.

Si rezultat, Rusia kërkoi destinacione të reja eksporti për naftën e saj, me Kinën dhe Indinë që u shfaqën si importuesit më të mëdhenj të naftës ruse më të lirë, duke rezultuar në pothuajse asnjë ndryshim në vëllimet e eksportit të naftës së papërpunuar të Rusisë.