Rusia paralajmëron SHBA-në kundër dërgimit të armëve në Ukrainë

Anatoly Antonov

Rusia i ka thënë SHBA-së të mos i dërgojë më shumë armë Ukrainës, duke paralajmëruar se veprimet e saj mund të intensifikojnë konfliktin, bëri të ditur ambasadori i Moskës në Washington, Anatoly Antonov, transmeton Anadolu Agency (AA).

Dërgimi i armëve nga SHBA me vlerë prej 800 milionë dollarë në Kiev “nuk kontribuon në kërkimin e një zgjidhjeje diplomatike”, tha Antonov në një intervistë për kanalin shtetëror të lajmeve Rossiya 24.

Antonov akuzoi Washingtonin për “përpjekje për të ngritur aksionet, për të përkeqësuar situatën”.

“A kemi dërguar një notë (diplomatike)? Po, theksuam papranueshmërinë e një situate ku SHBA po pompon Ukrainën me armë. Ne kërkuam t’i jepet fund kësaj praktike”, shtoi ai.

Që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë, SHBA i kishte ofruar Ukrainës ndihmë ushtarake me vlerë mbi 2,6 miliardë dollarë.

Washingtoni fillimisht u përmbajt nga dërgimi i armëve të rënda, por që atëherë ka ndryshuar metodën dhe ka furnizuar pajisje duke përfshirë helikopterë, dronë ajror dhe detar, si dhe armë artilerie.

Ushtria amerikane po trajnon gjithashtu ushtarë ukrainas.

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së Lloyd Austin dhe Sekretari i Shtetit Antony Blinken premtuan më shumë ndihmë gjatë udhëtimit të tyre në Kiev të dielën në mbrëmje, duke i thënë presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy se Washingtoni planifikon të sigurojë “713 milionë dollarë financime shtesë ushtarake të huaja”, sipas një raporti të CNN. /aa