Rusia i premton Serbisë furnizim me aeroplanë luftarakë dhe tanke

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka premtuar të nënshkruajë dekretin për dërgimin e aeroplanëve ushtarakë, tankeve dhe automjeteve të blinduara në Serbi, ka njoftuar ministri i Mbrojtjes i shtetit ballkanik, në veprimin që mund të përkeqësojë edhe më shumë tensionet me shtetet fqinje dhe të nxisë një garë armatimi në rajonin e dalë nga luftërat e gjata, shkruan sot Koha Ditore.

Ministri i Mbrojtjes, Zoran Gjorgjeviq, ka thënë se Putini është pajtuar ta miratojë dërgesën gjatë vizitës së kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq, në Moskë, të hënën.

Ai tha se gjashtë aeroplanë luftarakë “MiG-29”, 30 tanke “T-72” dhe 30 automjete të blinduara “BRDM-2” do të dërgohen së shpejti në Serbi.

“Presidenti i Federatës ruse tha se do ta nënshkruajë këtë dekret dhe kur ta nënshkruajë, ne do të veprojmë në përputhje me rregullat”, tha Gjorgjeviq.

“Po e presim finalizimin e procesit në Rusi dhe të shohim se si do të dërgohen pajisjet në Serbi”.