Bota mban frymën pezull nga bisedimet vendimtare SHBA-Iran në Pakistan
Bota pret me padurim nëse bisedimet e paqes midis SHBA-së dhe Iranit, do të japin apo jo rezultate. Jetët e miliona njerëzve dhe fati i ekonomisë globale varen nga ky takim në Islamabad.
Rrugët e kryeqytetit pakistanez janë zbrazur për shkak të masave të rrepta të sigurisë, ndërkohë që delegacionet po mbërrijnë për bisedimet e tyre të para që nga fillimi i luftës.
Një armëpushim i brishtë dyjavor po mbahet disi për momentin, por sulmet e fundit izraelite në Liban dhe mosmarrëveshjet mbi përfshirjen e Hezbollahut në marrëveshje rrezikojnë të dështojnë gjithçka.
Kush do të jetë në bisedime?
Sipas Shtëpisë së Bardhë, delegacioni amerikan do të udhëhiqet nga zëvendëspresidenti JD Vance, i dërguari special Steve ëitkoff dhe Jared Kushner. Teherani nuk e ka njoftuar zyrtarisht ekipin e tij, por raportohet se ai do të udhëhiqet nga kryetari i Parlamentit, Mohammad Bagher Ghalibaf.
Ai është shfaqur si bashkëbisedues kyç me administratën Trump, veçanërisht pasi shumë udhëheqës iranianë janë vrarë nga sulmet e fundit amerikane dhe izraelite.
Për çfarë do të flasin?
Përafrimi i axhendës mbetet i vështirë, pasi të dyja palët kanë qëndrime të forta. Trump ka përmendur një propozim iranian me 10 pika si një bazë të realizueshme
për negociata. Por nga ana tjetër, Irani ka paraqitur kërkesa sfiduese si kontrolli mbi Ngushticën e Hormuzit, dëmshpërblimet për dëmet e luftës dhe heqja e menjëhershme e të gjitha sanksioneve.
Ndërkohë, plani me 15 pika i ekipit të Trump, synon masa më të rrepta që përfshijnë ndalimin e plotë të pasurimit bërthamor, dorëzimin e uraniumit të pasuruar në nivel të lartë, kufizimin e aftësive mbrojtëse të Teheranit dhe rihapjen e pakushtëzuar të Ngushticës së Hormuzit për trafikun global.
Çfarë po ndodh në Liban?
Statusi i Libanit është pika më e nxehtë e polemikave. Irani dhe Pakistani këmbëngulin se armëpushimi mbulon edhe Hezbollahun. Por Izraeli nisi sulme masive në Bejrut vetëm pak orë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit, duke vrarë mbi 300 njerëz. Vance e quajti këtë një “keqkuptim të ligjshëm”, por u bëri thirrje izraelitëve të tregonin pak më shumë vetëpërmbajtje me sulmet e tyre të vazhdueshme.
Po Ngushtica e Hormuzit?
Irani ka mbyllur këtë rrugë kyçe ujore, duke shkaktuar kaos në tregjet e naftës. Edhe pse rihapja ishte pjesë e marrëveshjes, Teherani ka lejuar vetëm pak anije të kalojnë, duke e përdorur situatën si mjet presioni ndaj sulmeve izraelite në Liban.
Vance përsëriti se nëse Irani nuk i përmbush premtimet për hapjen e kalimit, armëpushimi do të përfundojë, ndërsa Trump u shpreh kundër vendosjes së taksave për cisternat që kalojnë atje.
A do të arrijnë ndonjë gjë bisedimet?
Pavarësisht tensioneve, Trump u shpreh “shumë optimist” për një marrëveshje, duke thënë se udhëheqësit iranianë janë bërë më të arsyeshëm në diskutime private pasi janë dobësuar ushtarakisht.
Por ndryshe mendon media shtetërore iraniane, e cila e paraqet uljen në bisedime si një fitore të Teheranit. Kjo fundjavë në Islamabad, pritet të jetë vetëm fillimi i një procesi të gjatë negociatash për një paqe të qëndrueshme. /tesheshi





