Samiti Putin-Biden, përpjekje për të vendosur në rrugën e duhur marrëdhëniet Rusi-SHBA

ALİ CURA

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe presidenti i SHBA-së, Joe Biden në samitin më 16 qershor do të negociojnë se çfarë duhet të bëhet për të vendosur në rrugën e duhur marrëdhëniet dypalëshe që janë tensionuar edhe “më shumë se në periudhën e luftës së ftohtë”, shkruan Anadolu Agency (AA).

Zhvillimet e përjetuara hedhin dritë për çështjet në tryezë edhe pse nuk ka një axhendë zyrtare lidhur me takimin që Putin dhe Biden do të mbajnë më 16 qershor në Gjenevë të Zvicrës.

Samiti në të cilin Biden do të takohet për herë të parë ballë për ballë me Putinin pas zgjedhjes si president, bart një rëndësi historike në aspektin e “diskutimit të marrëdhënieve në mënyrë të drejtpërdrejt”.

Nuk pritej që të merrej një vendim i tillë për takim, pasi deklarata “vrasës” që dha Biden për Putinin shkaktoi që të përjetohej periudha më e tensionuar e marrëdhënieve.

Putin në përgjigje të deklaratës në fjalë të bërë nga Biden, tha se nuk dëshiron të jetë pala tensionuese dhe duke dhënë një përgjigje diplomatike ai bëri një deklaratë në kuptimin se “fjala e keqe i përket atij që e shpreh”.

Rusia e cila përballet me sanksione nga vendet perëndimore që nga viti 2014 kur ajo aneksoi në mënyrë të paligjshme Krimenë, nuk dëshiron të jetë pala e tensionit për të mos u dëmtuar edhe më shumë në aspektin ekonomik.

Sanksionet në fjalë kundër Rusisë së pasur me naftë dhe gaz natyral, vazhdojnë në mënyrë të koordinuar nga SHBA-ja dhe aleatët e saj perëndimorë.

Edhe pse për shkak të luhatjeve të çmimeve të naftës, nuk është e lehtë të matet kostoja vjetore që sanksionet amerikane shkaktojnë ndaj ekonomisë ruse, tregues të caktuar tregojnë se vendi ka humbur miliarda dollarë.

Për këtë arsye, Putini i cili ndodhet në situatën për të vepruar në mënyrë diplomatike, propozoi edhe metodën për një bisedë me Biden nëpërmjet internetit në mënyrë që ta ndjekë edhe populli.

Në krye të temave që do të diskutohen në takimin Putin-Biden do jenë “sulmet kibernetike”. Akuzat që filluan me pretendimet për ndërhyrje kibernetike të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së në vitin 2016, kanë ardhur sërish në rend dite me sulmet e tjera të kryera deri më sot.

Në sulmet që ende vazhdojnë ndaj disa institucioneve federale dhe kompanive në SHBA, mbrohet ideja se ka shenja ruse. Putin për këtë çështje do t‘i propozojë Bidenit formimin e një grupi pune të përbashkët me zyrtarë amerikanë.

Një tjetër temë kryesore e cila pritet të diskutohet në tryezë është projekti i gazsjellësit “Rrjedha Veriore 2” i cili shtrihet nga Rusia në Evropë. Pak kohë më parë Putin deklaroi përfundimin e pjesës së parë të projektit. SHBA-ja e cila dëshiron t‘i shesë Evropës gazin e lëngshëm që posedon, e kundërshton këtë projekt mes Rusisë dhe Evropës në aspektin tregtar dhe atë strategjik.

Po ashtu në rend dite mes dy liderëve do të jetë edhe kriza në Ukrainë e cila është fqinje me Rusinë. SHBA-ja kërkon që rajoni Donbas nën administrimin e separatistëve pro rusë në lindje të Ukrainës të kalojë nën kontrollin e qeverisë së Kievit dhe ajo është e shqetësuar nga forcimi i ushtarëve rusë për të cilët theksohet se ndodhen në afërsi të kufirit të Ukrainës.

Gjithashtu edhe shqetësimi për stërvitjet e NATO-s kohët e fundit në kufirin perëndimor dhe jugor të Rusisë është një temë tjetër të cilën pritet që Putin ta potencojë në takimin me presidentin amerikan. Rusia ka njoftuar se ka vëzhguar se janë rritur 2-3 herë veprimet ushtarake të NATO-s në kufijtë e saj perëndimorë.

Një tjetër çështje për të cilën SHBA-ja është e shqetësuar për “demokracinë dhe çështjet e të drejtave të njeriut” në Rusi është edhe opozitari rus, Alexei Navalny i cili u burgos nga një gjykim tjetër i mëparshëm për korrupsion pas ardhjes së tij nga Gjermania ku ai u trajtua me pretendimin për helmim.

Lidhur me këtë temë pritet që Putin t‘ia shprehë personalisht Bidenit shqetësimet për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe përfshirjen e çështjeve të saj të brendshme.

Në takim pritet të diskutohet edhe çështja e stabilitetit strategjik si dhe parashikohet që të bisedohen çështjet lidhur me vendosjen e armëve bërthamore me rreze të mesme dhe disa probleme në Marrëveshjen për Pakësimin e Armëve të reja Strategjike (New START) të nënshkruar mes Rusisë dhe SHBA-së.

Krahas pikëpamjeve të ndryshme mes SHBA-së dhe Rusisë për Sirinë, Libinë, Afganistanin, Iranin dhe Bjellorusinë vlerësohet se në mesin e çështjeve që do vijnë në rendin e ditës do të jetë edhe armatosja në hapësirë.

Dy liderët thuhet se do të shprehin mendimet e tyre për zhvillimin e çështjeve për të cilat mund të bashkëpunohet mes Rusisë dhe SHBA-së. Samiti do të ndiqet nga opinioni botëror dhe në të do të bisedohet edhe mbi marrëdhëniet e konsideruara nga zyrtarët rusë si “më të ftohta se në periudhën e luftës së ftohtë”. Ashtu sikur e ka thënë edhe ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov nga takimi pala ruse “nuk ka ndonjë pritshmëri të madhe”.

Duke vënë në dukje se shpreson që pala amerikane të marrë në konsideratë veprimet, interesat, pozicionin dhe vijat e kuqe të Rusisë, Lavrov ka vënë theksin se normalizimi i marrëdhënieve ruso-amerikane do të jetë e mundur vetëm nëse zbatohen parimet për barazi, respekt reciprok dhe mos ndërhyrje në punët e brendshme të njëri-tjetrit. /aa