Sanksionet amerikane ndaj Venezuelës rrisin çmimin e naftës së papërpunuar

ANKARA (AA) – Çmimet e naftës së papërpunuar të martën tregtohen më një çmim më të lartë nga një ditë më parë, si pasojë e sanksioneve amerikane mbi kompaninë shtetërore venezuelase të naftës PDVSA, të cilat kanë shkaktuar një shqetësim në tregun global të naftës, raporton Anadolu Agency (AA).

Nafta e papërpunuar e markës Brent, të martën tregtohet me 60.27 dollarë për fuçi, që është një rritje me 0.5 për qind nga një ditë më parë.

Ndërkohë, marka amerikane West Texas Intermediate (WTI) tregtohet me 52.39 dollarë për fuçi, që është në rritje me 0.6 për qind nga një ditë më parë.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-ve, John Bolton, u tha gazetarëve të hënën në Shtëpinë e Bardhë se sanksionet mbi PDVSA pritet të bllokojnë 7 miliardë dollarë në pasuri dhe të rezultojnë në 11 miliardë dollarë të ardhura të humbura të eksportit gjatë vitit të ardhshëm.

Sanksionet do të hiqen vetëm nëse presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro, i’a lëshon pushtetin një qeverie të re, është paralajmërimi i administratës amerikane e cila mbështet presidentin e Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, Juan Guaido, i vetëshpallur për president i përkohshëm i vendit.

Venezuela, që është njëra nga anëtarët më të rëndësishme të OPEC-ut, në dhjetor të vitit të kaluar ka prodhuar rreth 1.5 milion fuçi në ditë.

Njohësit e zhvillimeve thonë se sanksionet të cilat rrisin presionin ekonomik por edhe diplomatik mbi Maduron, pritet që në masë të madhe të ndikojnë në eksportet e naftës, por do të kenë efekt edhe në uljen e furnizimit të tregut global të naftës.