Agjencia e Emigracionit dhe Doganave e SHBA-së (ICE) ka njoftuar se zyra e saj në Harlingen të Teksasit, ka arrestuar 238 emigrantë gjatë një operacioni njëditor në Luginën Rio Grande, duke e cilësuar atë si aksionin më të madh të synuar të zbatimit të ligjit në këtë rajon, transmeton Anadolu.
Sipas “Fox News”, ICE tha se operacioni i 18 qershorit, i zhvilluar në bashkëpunim me agjenci të tjera të zbatimit të ligjit, çoi në arrestimin e personave me dënime të mëparshme, përfshirë akuza për tentativë rrëmbimi, abuzim seksual dhe posedim droge.
“Misioni i ICE-së vazhdon të përqendrohet në rritjen e sigurisë publike dhe rikthimin e integritetit të sistemit të emigracionit të vendit tonë”, tha drejtori i zyrës së ICE-së në Harlingen, Juan Agudelo.
Mes të arrestuarve ishte edhe Manuel Morales-Geronimo, shtetas meksikan, të cilin ICE e identifikoi si anëtar të bandës Paisas. Agjencia tha se ai kishte dënime të mëparshme për sulm që shkakton dëmtime trupore, posedim të substancave të kontrolluara, posedim marihuane, drejtim automjeti nën ndikimin e alkoolit, hyrje të paligjshme dhe tre raste ri-hyrjeje të paligjshme në vend.
ICE identifikoi gjithashtu Jose Alfredo Castillo-Mendozën, shtetas meksikan, mes personave të arrestuar. Agjencia tha se ai kishte dënime të mëparshme për tentativë rrëmbimi, abuzim seksual dhe ri-hyrje të paligjshme në SHBA.
Njoftimi erdhi teksa presidenti Donald Trump mbrojti ndalimet e automjeteve për qëllime të zbatimit të ligjit të emigracionit, pas raportimeve se Departamenti i Sigurisë Kombëtare kishte shqyrtuar mundësinë e pezullimit të shumicës së këtyre kontrolleve.
Trump tha në rrjetet sociale se ndalimet e automjeteve mbeten “një nga mjetet më të rëndësishme dhe më efektive të ICE-së në luftën kundër krimit”.



