“SHBA dhe Turqia bisedojnë për Sirinë, për Munbixhin ende nuk ka marrëveshje”

Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Heather Nauert tha se delegacionet e Turqisë dhe SHBA-së vazhdojnë negociatat mbi situatën në Siri, por se ende nuk është arritur marrëveshje për rajonin e Munbixhit në veri të Sirisë, i cili është nën kontrollin e terroristëve të YPG/PKK-së, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ende nuk kemi arritur ndonjë marrëveshje. Më parë thamë se grupet e punës u takuan të premten në Ankara. Vazhdojmë negociatat dhe tashmë janë krijuar disa kontura të rrugës së bashkëpunimit të ardhshëm, përfshirë edhe çështjen e Munbixhit”, tha Nauert.

Ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson në shkurt vizitoi Ankaranë dhe asokohe u ngrit një mekanizëm për zgjidhjen e një sërë çështjesh të hapura dypalëshe, përfshirë edhe zgjidhjen e problemit të Munbixhit dhe shmangien e konfrontimit të drejtpërdrejt të forcave turke dhe amerikane në atë pjesë.

Nauert mbrëmë tha se kreu aktual i Departamentit të Shtetit, Mike Pompeo më 4 qershor do të takohet me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu.

Munbixhi është i pushtuar nga organizata terroriste YPG/PKK, e cila në veri të Sirisë operon nën petkun e të ashtuquajturave Forca Demokratike Siriane (SDF). Turqia paralajmëron se kjo është dega siriane e organizatës terroriste PKK, por SHBA beson se SDF është një partner i besueshëm në luftën kundër terroristëve të DEASH-it.

Në kuadër të SDF-së gjithashtu janë përfshirë edhe disa grupe të vogla të armatosura të arabëve lokalë, kështu që Washingtoni thotë se nuk u ndihmon terroristëve, por luftëtarëve arabë në Siri.

Në Munbixh janë angazhuar rreth 2.000 trupa amerikane. Si Turqia ashtu edhe SHBA-të, si aleate të NATO-s, duan të shmangin konfliktet e drejtpërdrejta në rajon.

Në fillim të këtij viti, forcat turke kanë nisur operacionin anti-terrorist “Dega e Ullirit”, duka çliruar nga terroristët e YPG/PKK-së dhe DEASH-it një sipërfaqe më të gjerë të rajonit veriperëndimor sirian të Afrinit. Turqia ka njoftuar se do të vazhdojë operacionin më tej në lindje nëse terroristët e YPG/PKK-së nuk e braktisin Munbixhin.