Administrata amerikane njoftoi se është e gatshme të sigurojë më shumë se 1 miliard dollarë fonde të reja për ndihmën humanitare për të mbështetur njerëzit brenda Ukrainës dhe për të ndihmuar ata që janë prekur nga efektet globale të luftës së Rusisë
Administrata e presidenti Joe Biden ka njoftuar se SHBA do të pranojë 100 mijë refugjatë ukrainas dhe të tjerë që ikin nga lufta ruse, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Derisa ne presim që shumë ukrainas të zgjedhin të qëndrojnë në Evropë pranë familjes dhe shtëpive të tyre në Ukrainë, sot, SHBA po njofton planet për të mirëpritur deri në 100 mijë ukrainas dhe të tjerë që ikin nga agresioni i Rusisë përmes një game të plotë të rrugëve ligjore, përfshirë Programin amerikan të pranimit të refugjatëve”, tha Shtëpia e Bardhë në një njoftim.
“Në veçanti, ne po punojmë për të zgjeruar dhe zhvilluar programe të reja me fokus në mirëpritjen e ukrainasve që kanë anëtarë të familjes në SHBA”, thuhet më tej.
Administrata e presidentit Biden gjithashtu njoftoi se SHBA-ja është e gatshme të sigurojë më shumë se 1 miliard dollarë fonde të reja për ndihmën humanitare për të mbështetur njerëzit brenda Ukrainës dhe për të ndihmuar ata që janë prekur nga efektet globale të luftës së Rusisë.
Lufta Rusi-Ukrainë, e cila filloi më 24 shkurt, ka hasur në zemërim ndërkombëtar, me BE-në, SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndër të tjera, që po zbatojnë sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës. /aa



