SHBA-ja paralajmëron Kazakistanin: Nëse trupat ruse hyjnë, e keni vështirë t’i largoni

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, paralajmëroi Kazakistanin të premten se do ta ketë “të vështirë” t’i largojë forcat ruse që ajo ftoi në vend për të shuar trazirat, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke iu drejtuar gazetarëve në Departamentin e Shtetit, Blinken vuri në dukje shembujt e fundit të trupave ruse që kanë hyrë në vendet e huaja, duke thënë se “një mësim” i nxjerrë nga ato përvoja është se “kur rusët janë në shtëpinë tuaj, ndonjëherë është shumë e vështirë t’i detyroni të largohen”.

Në vazhdën protestave mbarëkombëtare të nxitura nga rritja e çmimeve të disa karburanteve, presidenti i Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev kërkoi ndihmë nga Organizata shumëkombëshe e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), një aleancë ushtarake euroaziatike e pesë ish-republikave sovjetike dhe Rusisë.

Trupat nga Rusia, Bjellorusia, Armenia, Taxhikistani dhe Kirgistani filluan të vendosen të enjten për të shuar trazirat dhe Tokayev ka urdhëruar forcat e sigurisë të “hapin zjarr për të vrarë terroristët pa paralajmërim”.

“Kur bëhet fjalë për CSTO-në, ne kemi pyetje në lidhje me natyrën e kërkesës, pse ajo erdhi”, tha Blinken.

“Më duket se autoritetet kazake në qeveri sigurisht kanë kapacitetin për t’u marrë me protestat, për ta bërë këtë në një mënyrë që respekton të drejtat e protestuesve duke ruajtur ligjin dhe rendin. Kështu që nuk është e qartë pse ata ndiejnë nevojën për ndihmë nga jashtë”, shtoi kryediplomati amerikan.

Ai më tej u bëri thirrje forcave kazake dhe CSTO-së që “të respektojnë standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”.

Sipas Ministrisë së Brendshme të Kazakistanit, të paktën 18 oficerë sigurie dhe 26 protestues kanë humbur jetën gjatë trazirave të vazhdueshme. /aa