SHBA – Jen Psaki: Afganistani, një luftë 20-vjeçare që nuk është fituar ushtarakisht

Ky pohim i rëndësishëm erdhi nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, gjatë një konference shtypi ku vlerësoi përfundimin e pushtimit të Afganistanit.

Jen Psaki tha se kanë përshpejtuar procedurat e vizave speciale për afganët, kryesisht përkthyes, të cilët kanë punuar me ushtrinë amerikane që nga fillimi i pushtimit të vendit të tyre.

“Ne kemi bërë një plan për të nxjerrë jashtë shtetit mijëra afganë bashkë me familjet e tyre. Në këtë planifikim, ne kemi përcaktuar disa baza ushtarake në SHBA dhe vende të treta. Këta afganë do të zhvendosen në vendet e treta përpara se trupat tona të tërhiqen plotësisht”, shpjegoi ajo.

Duke mos dhënë detaje për vendet e treta që përmendi, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë saktësoi se ky proces i zhvendosjes do të fillojë që nga gushti.

Pasi theksoi se ata tashmë e prisnin që situata në Afganistan do të ishte mjaft e vështirë pas tërheqjes së SHBA-së, Pasi vijoi me këto fjalë: “Pasojat do të ishin shumë më të rënda nëse nuk do të kishim marrë vendimin që morëm (tërheqjen nga Afganistani).”

Ajo gjithashtu potencoi se SHBA-ja nuk do të shpallë një fitore për luftën në Afganistan.

“Kjo është një luftë 20-vjeçare që nuk është fituar ushtarakisht”, u shpreh Jen Psaki duke shtuar se megjithatë janë krenarë dhe shumë mirënjohës për burrat e gratë që kanë shërbyer për ushtrinë amerikane në Afganistan.

“Presidenti do ta nënvizojë këtë në fjalimet e tij”, shtoi zëdhënësja amerikane.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi të martën (6 korrik) se procesi i tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani deri në shtator është mbi 90% i përfunduar. /trt