SHBA: Luftimet në Ukrainë me ritme të ngadalësuara; përgatitje për kundërofensivë në pranverë

Komuniteti amerikan i zbulimit mendon se ritmi i ngadalësuar i luftimeve në Ukrainë do të vazhdojë në muajt e ardhshëm, tha të shtunën Drejtorja e Zbulimit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara, Avril Haines. Duke folur në Kaliforni gjatë punimeve të Forumit Reagan për Mbrojtjen Kombëtare, zonja Haines paraqiti vlerësimin e shërbimeve amerikane të zbulimit për një sërë temash, përfshirë luftën në Ukrainë, Rusinë dhe protestat në Kinë.

Duke folur për luftën në Ukrainë, Drejtorja e Zbulimit Kombëtar Avril Haines tha se megjithëse intensiteti i konfliktit ka rënë, Shtetet e Bashkuara mendojnë se si Ukraina ashtu edhe Rusia do të përgatiten për kundërofensivë në pranverë.

“Mendojmë se të dyja ushtritë do të jenë në një situatë ku do të përpiqen të rifurnizohen, të përforcohen dhe riformatohen. Por, kemi realisht një nivel të konsiderueshëm mosbesimi nëse rusët do të jenë në gjendje t’ia arrijnë kësaj. Dhe në fakt jam më optimiste për ukrainasit në këtë kuadër kohor”, tha zonja Haines.

Drejtorja e zbulimit kombëtar ngriti pikëpyetje edhe mbi aftësinë e Rusisë për të siguruar furnizime.

“Ndjesia jonë është se (Rusia) nuk janë në gjendje të prodhojnë në vend ato çfarë po përdorin në këtë fazë. Kjo do të jetë një sfidë dhe prandaj i shohim t’u afrohen vendeve të tjera për të siguruar municion. Dhe siç e kemi vënë në dukje, municionet e armatimit të preçizionit të lartë po u mbarojnë”, tha ajo.
Zonja Haines tha se kundërshtitë në Rusi ndaj luftës ishin domethënëse, por jo në përmasa e duhura për të sjellë ndryshim.

“U panë disa nga figurat më domethënëse të Rusisë të japin pikëpamje më kritike se në të kaluarën për luftën, për atë që po ndodh dhe për Putinin, por asgjë që të mund të sjellë ndryshim regjimi”, tha ajo.

E pyetur edhe për protestat në Kinë ndaj politikës së tolerancës zero të qeverisë kineze ndaj COVID-it, zonja Haines tha se ato reflektojnë stilin joelastik qeverisës të Presidentit kinez Xi, i cili megjithë ndikimin e COVID-it mbi ekonominë dhe tek komunitetet, zgjedh të mos pranojë marrjen e vaksinave më të mira nga Perëndimi, por të vazhdojë të mbështetet tek vaksina kineze që ka rezultuar jo efikase. Muajin e kaluar pati protesta në 20 qytete të Kinës, një situatë e paprecedentë që kur Presidenti Xi Jinping mori pushtetin në vitin 2012.