SHBA ndalon mallrat e prodhuara me punë të detyruar nga rajoni Xinjiang i Kinës

Senati i SHBA-së ka miratuar një projektligj që ndalon mallrat nga rajoni Xinjiang me shumicë muslimane në Kinë, që janë prodhuar me punë të detyruar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Akti i Parandalimit të Punës së Detyrueshme të Ujgurëve njëzëri u miratua në dhomën e lartë të Kongresit. Ky akt kaloi në Dhomën e Përfaqësuesve të martën e kaluar.

Nxitësi kryesor i projektligjit, senatori republikan Marco Rubio, përshëndeti miratimin në rrjetet sociale.

“Duhej të luftonim kundër lobimit të korporatave të mëdha, kundërshtimit nga Shtëpia e Bardhë e (Joe) Biden-it dhe kërcënimeve të bëra nga Kina komuniste. Madje më duhej të vonoj projektligjin e Mbrojtjes. Por ne më në fund kaluam Aktin e Parandalimit të Punës së Detyrueshme të Ujgurëve”, shkroi Rubio në twitter.

Akti tani kalon në tryezën e presidentit Biden për nënshkrim.

Projektligji synon të garantojë që mallrat e prodhuara me punë të detyruar të ujgurëve dhe të tjerët në rajonin Xinjiang të mos hyjnë në tregun amerikan. Ai po ashtu kërkon që kompanitë të provojnë se nuk importojnë mallra nga Xinjiang që vijnë nga puna e detyruar.

Në rajonin Xinjiang, muslimanët ujgurë i janë nënshtruar abuzimeve për vite me radhe për shkak të identitetit dhe kulturës së tyre.

Sipas të dhënave nga Kombet e Bashkuara (OKB), të paktën 1 milion ujgurë mbahen kundër vullnetit të tyre në vendet që Pekini i quan “qendra të trajnimit profesional”, por që kritikët i quajnë vende për indoktrinim, abuzim dhe torturë.

Disa vende kanë akuzuar Kinën për kryerje të gjenocidit kundër ujgurëve, por Pekini ka mohuar çdo keqbërje, duke i mohuar akuzat si “gënjeshtra dhe virus politik”. /aa