SHBA “thellësisht e shqetësuar” për vendbanimet e planifikuara izraelite

SHBA ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me planet izraelite për rritjen e njësive të vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar për planet e qeverisë izraelite për rritjen e njësive të vendbanimeve nesër, të mërkurën, shumë prej të cilave thellë në Bregun Perëndimor”, tha në një konferencë për media Ned Price, zëdhënës i Departmentit të Shtetit të SHBA-së.

Ai shprehu shqetësim në lidhje me shpalljen e tenderëve të dielën për 1.300 njësi vendbanimesh në disa vendbanime të Bregut Perëndimor.

“Ne fuqishëm e kundërshtojmë zgjerimin e vendbanimeve që është plotësisht në kundërshtim me përpjekjet për të ulur tensionet dhe për të garantuar qetësinë dhe që dëmton perspektivat për një zgjidhje me dy shtete”, theksoi Price.

Të dielën, kryeministri palestinez, Mohammad Shtayyeh, dënoi këto plane dhe tha se skemat izraelite ai i konsideron “një agresion të hapur në tokat tona”.

Bregu Perëndimor, përfshirë Kudsi Lindor, konsiderohen si “territore të pushtuara” sipas ligjit ndërkombëtar, duke i bërë të paligjshme të gjitha vendbanimet hebraike atje. /aa