SHBA: Ulja e prodhimit të naftës nga OPEC+, ‘mbështetje’ për luftën e Rusisë në Ukrainë

Vendimi i OPEC+, i kryesuar nga Arabia Saudite, për të ulur në mënyrë dramatike prodhimin global të naftës nënkupton “mbështetje morale dhe ushtarake” për luftën e Rusisë kundër Ukrainës, tha Shtëpia e Bardhë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, tha se vendimi është “sigurisht” një formë e mbështetjes ekonomike për presidentin rus Vladimir Putin, sepse “i lejon atij të vazhdojë të financojë makinën e tij luftarake dhe sigurisht që i dha atij, zotit Putin, një ndjenjë të rehatisë”.

“Ajo që ne po kërkojmë dhe do të vazhdojmë të kërkojmë nga sauditët është të shohin se a është kjo rruga në të cilën ata duan të qëndrojnë? A duan të thonë të qëndrohet në anën e Rusisë? A duan të vazhdojnë të ofrojnë atë lloj mbështetjeje, atë mbështetje të heshtur, për kapacitetet e rusëve për të vazhduar të vrasin popullin ukrainas? Kjo është arsyeja për të cilën bëhet fjalë”, tha ai.

Komentet vijnë pasi Washington-i vazhdon të reagojë ndaj Arabisë Saudite për mbështetjen e saj për reduktimin e naftës nga grupi OPEC+ me 2 milionë fuçi në ditë, duke pohuar se Riadi punoi në prapaskenë për të ushtruar presion ndaj anëtarëve të bllokut që të votojnë në favor të vendimit duke e ditur mirë se nga kjo do të përfitonte Rusia.

Veprimi i OPEC+ ka rritur çmimet e naftës në nivel global, që është një rrjedhë e madhe e të ardhurave për Kremlinin, ndërsa Perëndimi dhe aleatët e tij përpiqen të kufizojnë aftësinë e Rusisë për të zhvilluar luftën tashmë tetëmujore kundër Ukrainës që filloi në shkurt.

Kirby tha se SHBA-ja do të vazhdojë të monitorojë zhvillimet jashtë OPEC+, si dhe “çdo deklaratë dhe aktivitet tjetër që sauditët mund të zgjedhin në lidhje me luftën në Ukrainë”.

Kirby përshëndeti votën e Arabisë Saudite në favor të rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të mërkurën që dënon aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës nga Rusia, por tha se kjo “nuk e zhbën faktin që vendimi që mori OPEC+ ishte i panevojshëm nga pikëpamja matematikore”.

“Vendi që përfiton më shumë nga kjo ulje prej 2 milionë fuçish është Rusia, sepse ajo varet nga oferta dhe kërkesa, dhe Rusia pa dyshim dëshiron të mbajë ofertën poshtë në mënyrë që kërkesa të rrisë çmimin”, tha ai.

“Ne kemi qenë, mendoj, shumë të sinqertë dhe shumë të qartë në lidhje me shqetësimet tona lidhur me këtë vendim dritëshkurtër që është për keqardhje”, theksoi Kirby. /aa