
Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Mariano Grossi tha sot se inspektimet bërthamore në vendet e pasurimit të Iranit do të vazhdojnë pavarësisht kundërshtimeve të Teheranit, sipas Euronews, transmeton Anadolu.
Gjatë një konference për media në centralin bërthamor “Fukushima Daiichi” në Japoni, duke iu referuar memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar midis SHBA-së dhe Iranit, Grossi hodhi poshtë mohimet e Iranit se nuk ka rënë dakord për inspektime bërthamore.
“Marrëveshja thotë në mënyrë të qartë se aktivitetet bërthamore që do të kryhen në lidhje me objektet e materialeve bërthamore do të mbikëqyren nga IAEA-ja në të gjitha letrat”, u tha Grossi gazetarëve.
“Natyrisht, për ta bërë këtë, ne do të duhet të inspektojmë. Nëse kjo ndodh pasnesër, pas një jave apo pas 10 ditësh, është e rëndësishme, por jo thelbësore. Kjo do të ndodhë”, tha ai më tej.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump këmbënguli të martën se Irani do të lejojë inspektorët bërthamorë në vend pavarësisht mohimeve të Teheranit, duke thënë se inspektorët do të jenë në terren “në një kohë të përshtatshme”.
Duke folur me gazetarët, Trump hodhi poshtë pretendimet iraniane se nuk ka vizita të planifikuara për inspektorët e IAEA-së, pavarësisht një njoftimi nga zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance se Irani ka rënë dakord të lejojë inspektorët bërthamorë të kthehen në vend.
SHBA-ja dhe Irani nënshkruan nga distanca një memorandum mirëkuptimi javën e kaluar, duke nisur një dritare negociuese 60-ditore për të zgjidhur mosmarrëveshjet, përfshirë fatin e rezervave të uraniumit të pasuruar të Iranit, programin e tij bërthamor dhe çështje të tjera të pazgjidhura.
Dokumenti me 14 pika bën thirrje për ndërprerje të menjëhershme dhe të përhershme të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, heqjen e bllokadës detare ndaj Iranit dhe kalimin e sigurt për anijet tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit.
Ai përfshin plan rindërtimi dhe zhvillimi ekonomik për Iranin me vlerë të paktën 300 miliardë dollarë, heqje dorë nga eksporti i naftës, lirimin e aseteve të ngrira të Iranit dhe një riafirmim nga Teherani se nuk do të zhvillojë armë bërthamore.






