Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka deklaruar se shkeljet izraelite të Marrëveshjes së Shkëputjes së Forcave të vitit 1974 me Sirinë janë “të papranueshme dhe duhet të ndalen”, si dhe ka bërë thirrje për respektimin e plotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, transmeton Anadolu.
“Sovraniteti, pavarësia, uniteti dhe integriteti territorial i Sirisë duhet të respektohen plotësisht Shkeljet nga Izraeli të Marrëveshjes së Shkëputjes së Forcave të vitit 1974 janë të papranueshme dhe duhet të ndalen”, shkroi ai në rrjetin social amerikan X.
Deklaratat u bënë gjatë vizitës së Guterresit në Damask, që shënoi vizitën e parë të një sekretari të përgjithshëm të OKB-së në Siri që nga vizita e ish-sekretarit Ban Ki-moon në vitin 2009. Vizita zhvillohet në një periudhë kur vendi po kalon një tranzicion politik pas rënies së regjimit të Bashar al-Assadit në dhjetor të vitit 2024.
Në kuadër të agjendës së tij, Guterres do të vizitojë gjithashtu Forcën e OKB-së për Vëzhgimin e Shkëputjes (UNDOF), e cila është dislokuar në zonën tampon në Lartësitë e Golanit të pushtuara që nga krijimi i misionit nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, në bazë të Rezolutës 350 të vitit 1974, për të monitoruar armëpushimin mes Sirisë dhe Izraelit.
Vizita vjen gjithashtu në një periudhë tensionesh të shtuara në jug të Sirisë, pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se marrëveshja e shkëputjes së vitit 1974 ka rënë pas rënies së Assadit më 8 dhjetor të vitit 2024.
Më pas, forcat izraelite u dislokuan në zonën tampon në Siri, duke nxitur thirrje të përsëritura nga OKB-ja që Izraeli të respektojë marrëveshjen dhe sovranitetin e Sirisë.



