Kreu i korporatës shtetërore ruse të energjisë bërthamore Rosatom, Alexey Likhachev tha sot se 128 punonjës rusë mbeten ende në Centralin Bërthamor të Bushehrit në Iran, transmeton Anadolu.
“Kemi rreth 128 persona që kanë mbetur në Bushehr. Aktualisht po planifikojmë një valë tjetër evakuimesh”, tha Likhachev për servisin e lajmeve “Vesti”.
Duke theksuar se ka pasur një “ndjenjë të caktuar lehtësimi të lidhur me armëpushimin” midis SHBA-së dhe Iranit “në orët e fundit”, Likhachev tha se sfida kryesore në këtë kontekst është se nuk dihet se si do të përfundojë situata.
Likhachev tha se armëpushimi mund të prishet në çdo moment ose potencialisht të zhvillohet në një lloj marrëveshjeje mes dy vendeve, siç ka deklaruar presidenti amerikan Donald Trump.
“Bushehri mbetet prioriteti ynë teknologjik, por prioriteti mbi të gjitha prioritetet është jeta dhe shëndeti i njerëzve”, tha më tej Likhachev duke theksuar se Rusia do të monitorojë nga afër zhvillimet në Lindjen e Mesme.
Kreu i Rosatomit shprehu mirënjohje ndaj palës iraniane, përfshirë organizimin e evakuimeve nga Centrali Bërthamor i Bushehrit. “Më e rëndësishmja, morëm mbështetje të fortë nga Ministria ruse e Mbrojtjes dhe Ministria ruse e Punëve të Jashtme. Kemi evakuuar pothuajse 500 persona pa asnjë rrezik apo incident”, shtoi ai.
Gjatë fundjavës, Likhachev tha se shumica e rusëve që punonin në centralin e Bushehrit ishin evakuuar me sukses dhe se një valë tjetër evakuimi është planifikuar për javën e ardhshme.
Të martën, ambasada ruse në Armeni tha se 175 punonjës të tjerë të evakuuar nga Bushehri ishin nisur drejt Moskës.





