Shefja e diplomacisë gjermane kërkon nga kancelari Scholz të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj Kinës

Annalena Baerbock

Para udhëtimit të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, në fund të kësaj jave në Pekin, brenda qeverisë së koalicionit të udhëhequr nga social-demokratët po shfaqen mosmarrëveshje për lidhjet me Kinën, ndërsa Partia e Gjelbër po kërkon një qëndrim më të ashpër, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministrja e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, gjatë një vizite në Uzbekistan tha se kancelari gjerman ka vendosur kohën e udhëtimit të tij.

“Tani është thelbësore t’i bëjmë mesazhet që kemi vendosur së bashku në marrëveshjen e koalicionit, mesazhet që gjithashtu kam sjellë këtu në Azinë Qendrore, të qarta edhe në Kinë”, shtoi ajo.

Politikania e Parisë së Gjelbër bëri thirrje për një qëndrim më të ashpër ndaj Kinës. Sipas saj, “është thelbësore t’ia bëjmë të qartë Pekinit se çështja e kushteve të drejta konkurruese, çështja e të drejtave të njeriut dhe çështja e njohjes së ligjit ndërkombëtar janë baza jonë për bashkëpunim ndërkombëtar”.

Baerbock theksoi se në bisedimet e saj me homologun e saj nga Uzbekistani, Vladimir Norov, ajo e bëri të qartë se “si qeveri gjermane po hartojmë një strategji të re për Kinën, sepse sistemi politik kinez ka ndryshuar në mënyrë masive vitet e fundit dhe kështu edhe politika jonë për Kinën duhet të ndryshojë”.

Muajin e kaluar, kancelari Scholz shtyu një kompromis për synimin e investimeve të Kinës për një terminal kontejnerësh në Portin e Hamburgut, pavarësisht kundërshtimeve nga politikanët e gjelbër.