Shefja për të drejta të njeriut e OKB-së: Sulmet e Izraelit ndaj Gazës mund të përbëjnë “krime lufte”

Michelle Bachelet

Kryetarja e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, Michelle Bachelet ka deklaruar se sulmet ajrore të Izraelit gjatë konfliktit të fundit në Gaza mund të përbëjnë krime lufte, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ngjarjet e tmerrshme në Gaza dhe në territorin e pushtuar palestinez edhe një herë e kanë mbledhur këshillin në një seancë të posaçme. Kohëve të fundit kemi qenë dëshmitarë të përshkallëzimit më domethënës të armiqësive që nga viti 2014”, tha Bachelet në seancën mbi përkeqësimin e situatës së të drejtave të njeriut në territorin e pushtuar palestinez, përfshirë në Kudsin Lindor.

Megjithëse Izraeli dha disa paralajmërime paraprake kur kreu sulme ajrore në enklavën e bllokuar, theksoi Bachelet, “sulmet e tilla mund të përbëjnë krime lufte nëse zbulohet se ato janë pa kriter dhe jo-proporcionale në ndikimin e tyre mbi civilët dhe objektet civile.

Ajo tha se përshkallëzimi i fundit ishte i lidhur drejtpërdrejt me protestat dhe se ishte një përgjigje e rëndë nga forcat izraelite të sigurisë fillimisht në Kudsin Lindor, më pas duke u përhapur në të gjithë territorin e pushtuar palestinez dhe po ashtu brenda Izraelit.

Bachelet citoi shifrat e verifikuara nga zyra e saj se 242 palestinezë u vranë nga forcat izraelite të sigurisë në sulmet ndaj Gazës, përfshirë 63 fëmijë.

“Mijëra të tjerë janë plagosur, ndërkohë vlerësohet se mbi 74 mijë palestinezë janë zhvendosur”, shtoi ajo.

Në Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, 28 palestinezë prej të cilëve 5 fëmijë, u vranë që nga 24 maji.

“Në të njëjtën kohë, raketat e lëshuara nga Hamasi dhe grupe të tjera të armatosura palestineze vranë dhjetë qytetarë dhe banorë izraelitë, përfshirë dy fëmijë, si dhe detyruan mijëra të strehohen”, tha Bachelet.

Pavarësisht se Izraeli ndërmori disa masa paraprake, të tilla si paralajmërime paraprake të sulmeve në disa raste, sulmet ajrore në zona të tilla me popullsi të dendur rezultuan me shumë vdekje dhe plagosje të civilëve si dhe shkatërrim të gjerë të infrastrukturës civile.

“Sulme të tilla ngrenë shqetësime serioze të pajtueshmërisë së Izraelit me parimet e dallimit dhe proporcionalitetit sipas ligjit ndërkombëtar humanitar”, tha Bachelet. /aa